Pak premtime kanë përmbushur tre kryetarë të komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq). Nga 108 premtime të bëra gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, sipas Institutit për Studime të Avancuara GAP, deri në muajin korrik krerët komunalë i kanë përmbushur vetëm 9 prej tyre.
Ndërkohë, 8 i kanë gjysmë të përmbushura, 41 i kanë filluar dhe pjesa tjetër nuk kanë filluar ende. Numrin më të madh të premtimeve e ka kreu i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, 42, pastaj ai i Obiliqit, Xhafer Gashi, 34 dhe në fund Agim Veliu i Podujevës me 32 premtime. Në këtë platformë nuk figuron kreu komunal i Graçanicës, Sërgjan Popoviq. Hulumtuesi i lartë në këtë Institut, Bekim Salihu, ka thënë se Komuna e Graçanicës njësoj sikur të gjitha komunat e udhëhequra nga minoriteti serb kanë marrë pjesë në zgjedhje, por nuk kanë zhvilluar fushatë aktive.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë platformën e GAP-it shihet se kreu i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha (LDK), deri në fund të korrikut i ka përfunduar 5 premtime, 2 kanë qenë gjysmë të përmbushura, 14 kanë filluar dhe 21 të tjera nuk kanë filluar ende.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi (AAK), sipas Institutit GAP, ka bërë 34 premtime gjatë fushatës elektorale.
Shumica e projekteve janë asfaltimi i rrugëve. Deri në fund të muajit korrik, Gashi ka arritur të përfundojë vetëm 1 premtim, 4 i ka gjysmë të përfunduar, 17 i ka filluar dhe 12 nuk kanë filluar ende.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu (LDK), sipas GAP-it, i ka bërë 32 premtime gjatë fushatës elektorale. Në platformën e GAP-it shihet se, Agim Veliu i ka përfunduar 3 premtime, 2 i ka gjysmë të përfunduara, 10 të tjera i ka filluar dhe 17 nuk i ka filluar ende.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)