Shaqir Totaj i PDK-së në rundin e dytë zgjedhor ka realizuar përmbysjen në garën për kryetar të Prizrenit, duke dalë fitues me mbi 1.000 vota dallim. Kësisoj i është hakmarrë Haskukës për humbjen e vitit 2017. Totaj pohon se qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe meritat ua ka atribuuar edhe partnerëve të koalicionit dhe votuesve të LDK-së.
Katër vjet pritje i janë nevojitur Shaqir Totës së PDK-së për t’iu hakmarrë kundërkandidatit Mytaher Haskuka nga LVV-ja në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Totaj kishte humbur zgjedhjet me mbi 370 vota dallim, përderisa të dielën në bazë të rezultateve preliminare ka dalë fitues me mbi 1.000 vota dallim.
Sipas tij, këta katër vjet i kanë shërbyer për të fituar përvojë politike gjatë drejtimit të partisë, që i kanë mundësuar fitoren, në sajë të votës së qytetarëve për ndryshim.
Është zotuar se do të sjellë qasje të re menaxheriale në qeverisjen me qytetin historik, me transparencë e llogaridhënie.
“Unë kur jam inkuadruar herën e parë në garë nuk kam pasur përvojë politike. Edhe këta 4 vjet në fakt kanë qenë një sfidë, por kanë qenë dhe një mundësi, sepse në ndërkohë unë jam bërë kryetar i degës së PDK-së në Prizren, një kohë kam qenë dhe nënkryetar i partisë në nivel nacional dhe kjo ma ka dhënë një përvojë politike, e cila më ka ndihmuar që ta fitoj garën”, ka deklaruar Totaj.
Kryetari i sapozgjedhur i Prizrenit ka pohuar se ende nuk ka pranuar urimin nga Mytaher Haskuka, të cilin thotë se e ka mposhtur në sajë të mbështetjes së qytetarëve, ku rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe partnerët e koalicionit dhe votuesit e LDK-së.
“Mendoj se qytetarët e kanë vendosur, por gjithsesi edhe partnerët e koalicionit e kanë luajtur rolin e tyre dhe kisha me thënë se një numër i madh i votuesve të LDK-së, të cilët e kanë parë me të vërtetë se këtij qyteti i duhet një ndryshim, i duhet një vizion i ri, i duhet një qasje e re dhe atë e kanë parë tek opsion im, edhe e kanë përkrahë atë, i cili është një opsion gjithëpërfshirës jo vetëm njëpartiak për të ardhmen e qytetit tonë, që bazohet sipas sloganit tonë, të gjithë jemi bashkë për Prizrenin”.
Bazuar në rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj i PDK-së ka marrë 27.017 vota ose 51,01 %, derisa Mytaher Haskuka i LVV-së ka marrë 25.942 vota ose 48,99%.