15 mijë persona të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e pleq, 800 mijë të dëbuar e 5 mijë të zhdukur, infrastruktura tërësisht e shkatërruar, përfshirë edhe monumentet historike e kulturore.
Ky është pak a shumë bilanci i krimeve të kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë, pa llogaritur vitet e persekutimit, dëbimeve masive nga puna dhe vjedhjen e fondit të pensioneve.
Por është dashur të kalojnë 18 vjet, që liderët institucionalë të ndërmarrin iniciativa për ngritjen e padisë ndaj shtetit serb, nëse edhe kjo nuk mbetet në letër, raporton KTV.
Sa ishte zv. kryeministër dhe ministër i jashtëm, Hashim Thaçi paralajmëroi se shumë shpejt do ta bëjë një gjë të tillë, por nuk e bëri.
Presidenti Thaçi sërish po flet për padinë që do ta bëjë, për çka thotë se janë në përgatitje të çështjeve procedurale.
Ai thekson se nuk po ngutet vetëm sa për ta kryer një obligim, por shton se duhet një përgatitje sa më e mirë lidhur me këtë çështje.
Por janë nënat e personave të zhdukur, të cilat aspak nuk besojnë se Serbia do të dënohet për krimet e kryera.
Nysrete Kumnova, nga Shoqata “Thirrjet e nënave”, thotë se edhe po të bëhej padija, një proces i tillë, sipas saj, është tejet i vonuar.
E Ferdonie Qerkezi, e cila ka të zhdukur burrin dhe katër djemtë, pohon se një padi është dashur të bëhej shumë më parë.
Një zotim për padi ndaj Serbisë për gjenocid, Hashim Thaçi e kishte dhënë edhe para Këshillit të Sigurimit, në mbledhjen e 26 majit 2015.