Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi: Ushtria do të bëhet, s’ka kthim prapa

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Kolegjit UBT dhe ka bashkëbiseduar me ta për shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat është duke kaluar shteti ynë, njofton kumtesa presidenciale, transmeton koha.net.

Ai është ndalur me theks të veçantë edhe tek krijimi i ushtrisë së Kosovës, si dhe tek Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi, të drejtën e një vendi të pavarur dhe sovran, unë kam iniciuar këto ditë projektligjin në përputhje të plotë me procedurat, rregulloren e punës së Kuvendit, pra projektligjin për themelimin e ushtrisë së Kosovës apo transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga misioni civil në atë ushtarak”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky propozim e ka edhe parahistorinë e vet, sipas presidentit Thaçi, sepse FSK-ja është një forcë që e kemi krijuar nga zero, në kuadër të transformimeve apo shpërbërjes së TMK-së dhe pastaj fillimit të ndërtimit të FSK-së, në pjesën e dytë të vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009.

“Ka qenë një proces krejt i mbikëqyrur, i trajnuar prej faktorit ndërkombëtar, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, me të drejtë të plotë në vitin 2014 kemi marrë vendim dhe kemi pasur mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe NATO-s, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. S’ka më kthim, ushtria do të bëhet”, ka thënë ai.

Për shkak të zhvillimeve të brendshme politike, presidenti Thaçi ka thënë se asokohe spektri politik ka hezituar që të votojë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura.

Thaçi ka thënë se Lista Serbe e ka dhënë përgjigjen e saj për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe serbët e Kosovës po shfrytëzohen vetëm si karta për nacionalizmin e autoriteteve në Beograd.

Për iniciativën e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë, Thaçi ka thënë se ai komision do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe do të udhëhiqet prej përfaqësuesve të dy komuniteteve, shqiptare dhe serbe.

Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun, presidenti ka konfirmuar se do të respektohet plotësisht ajo rezolutë.