Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar sot në Vjenë se askush nuk kërkon cenimin territorial dhe integritetit të vendit tonë dhe se njohja reciproke është fitorja më e madhe për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
Ai këto komente i bëri pas takimit që kishte me kancelarin austriak Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe integrimet evropiane.
Thaçi ka përkujtuar se Austria tradicionalisht është mbështetëse e fuqishme e Kosovës në procesin e shtetbërjes dhe prej vendeve të para që ka njohur vendin tonë dhe sot është mbështetëse e konsolidimit të Kosovës dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, transmeton kp
Ai ka përkujtuar se nga 1 korriku Austria merr rolin e presidencës së BE-së dhe dialogu që do të vazhdojë në fund të qershorit apo në fillim të korrikut do të ketë rol të rëndësishëm mbështetës edhe nga Austria.
“Vetëm një zë unik evropian, ku një rol të rëndësishëm do ta ketë Austria gjatë periudhës gjashtëmujore, korrik deri në janar të vitit të ardhshëm dhe ishte një zotim i fuqishëm edhe i kancelarit se do të mbështesë këtë proces”, ka thënë Thaçi.
Ai e ka pranuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk do të jetë i lehtë, ndërsa ka shprehur besimin se do të jetë i suksesshëm.