Ndonëse fillimisht ishte propozuar që Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj të dëshmojnë për rastin e “Veteranëve”, kjo s’do të ndodhë.
Gjykata Themelore në Prishitnë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit Fadil Shurdhaj që si dëshmitar në rastin e “Veteranëve” të dëgjohen presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Isa Mustafa dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.
Nushe Mekaj kryetare e trupit gjykues nuk ka dhënë arsyet e këtij refuzimi derisa ka kërkuar nga të akuzuarit e tjerë qe të ofrojnë adresat e dëshmitarëve te propozuar nga ana e tyre.
Avokati i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, Skender Musa kishte thënë se Thaçi do të ftohej si ish drejtor i përgjithshëm i UÇK-së.
Kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar nga prokuroria speciale sqarime për mënyrën se si është bërë verifikimi dhe krahasimi i 19 mijë aplikacioneve.
“Ne kemi pranuar shkresa të personave të cilët pretendojnë se janë veteranë të vërtetë ndërsa figurojnë në listat e prokurorisë. A keni pasur ekspertë të cilët e kanë bërë vlerësimin dhe krahasimin e këtyre listave”, ka pyetur Mekaj.