Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të dalë në referendum

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar të enjten se dialogu me Serbinë po hyn në një fazë të re, ku pritet të krijohet ekipi i unitetet, i përbërë nga i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile. Në një intervistë dhënë Radio Kosovës, Thaçi ka thënë se fundi i dialogut do të shënojë arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hedhet në referendum dhe se qytetarët e vendit do ta thonë fjalën e tyre.

Presidenti Thaçi, gjithashtu, ka deklaruar se kanë mbetur shumë çështje të hapura, por, siç ka thënë ai, nuk mund të negociohet deri në pafundësi, pasi që procesi i dialogut duhet të përmbyllet njëherë e përgjithmonë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq, ka deklaruar se pret nga spektri politik sa më shpejtë të arrijnë një marrëveshje dhe t’i krijojnë institucionet.

Radio Kosova: Zotëri President, sot jeni takuar në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuqiq, natyrisht ky takim ka qene i lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini. Dhe është thënë në një komunikatë të zonjës Mogerini se gjyqësori në veri deri më 17 tetor, do të integrohet në atë të Kosovës, që është pa dyshim një e arritur shumë e rëndësishme apo jo?

Thaçi: Definitivisht është një e arritur jashtëzakonisht e rëndësishme, meqenëse bëhet fjalë për integrimin në sistemin e drejtësisë kosovare të të gjitha atyre strukturave çfarë kanë qenë. Por mbi të gjitha është shumë me rëndësi që të funksionalizohet i gjithë sistemi i drejtësisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të punohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kjo nënkupton se sovraniteti i vendit dhe autoriteti i shtetit të shtrihet në çdo hapësirë të Kosovës po edhe në çdo institucion të vendin.

Radio Kosova: Zotëri President, kjo është një fazë e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ju vazhdimisht kërkoni që, madje kjo fazë e re e dialogut të filloj sa më shpejtë që është e mundur dhe të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që të zbatohen të gjitha ato vendime që po merren në takime.

Thaçi: Po, kjo është një faze e re, është fazë përfundimtare e dialogut për normalizimin dhe pajtimin e dy shteteve dhe popujve tanë. Paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është paqe edhe për rajonin, por edhe siguri e garanci për investimet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk kemi kohë për të humbur, duhet të lëvizim më shpejtë sepse duam të jemi sa më parë pjesë e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, natyrisht edhe e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Sigurisht se Serbia ka objektivat e veta që të jetë pjesë e Familjes Evropian. Por, ne si dy vende mund të lëvizim përpara vetëm duke pasur bashkëpunim, duke ndërtuar fqinjësi të mirë dhe në asnjë rrethanë duke jetuar në një status-kuo. Prandaj, unë dua të besoj se do të lëvizet drejt një marrëveshje përfundimtare që do të nënkuptonte pajtimin e dy vendeve tona, dhe natyrisht një bashkëpunim ndërfqinjësor të mirë. Në këtë drejtim Bashkimi Evropian duhet të merr rolin që i takon, të udhëheqësit të procesit, nën mbështetjen dhe involvimin direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Radio Kosova: Zotëri president, megjithatë kanë mbetur edhe shumë tema të hapura dhe natyrisht është e nevojshme që këto të përmbyllen sa më shpejt?

Thaçi: Kanë mbetur edhe shumë çështje të hapura, por ne nuk mund të negociojmë në pafundësi. Ky proces duhet të përmbyllet një herë e përgjithmonë. Kosova është vend i lirë dhe sovran. Ne nuk mund t’i ndryshojmë apo t’i ndërrojmë fqinjët. Serbia është fqinji ynë. Prandaj, duhet të ndërtojmë raporte të mira, dhe të lëvizim drejtë një perspektive të sigurt euro-atlantike. Marrëveshjet e arritura deri më tani, kanë qenë shumë të rëndësishme, ndonëse shumë prej tyre janë implementuar. Por, kjo fazë e re nënkupton përmbyllje të problemeve një-shekullore e armiqësive dhe për të hapur një perspektivë të sigurt, të vlerave dhe kritereve euro-atlantike, për të gjithë rajonin tonë. E theksoj, ne duhet të punojmë fuqishëm që të prodhojmë argumente që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin që iu takon, përsëri aktiv, dinamik dhe të fuqishëm në rajonin tonë. Por , nevojitet që të arrihet edhe një marrëveshje përfundimtare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kosova në këtë drejtim do të lëvizë në një përfaqësi të gjerë politike, unë i them ekipi i unitetit, ku do të krijohet mundësia që të marrinë pjesë gjithë spektri politik kosovar, përfaqësues nga shoqëria civile, nga mediat, në mënyrë që të kemi një përmbyllje konsesuale, të këtij procesi. Dhe jam i bindur që e gjithë liderët politik dhe shoqëria kosovare dëshiron që Kosova sa më shpejt të integrohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Zotëri president, takimet do te vazhdojnë gjatë javëve të ardhshme?

Thaçi:Në javët dhe muajt e ardhshëm unë pres takime më të shpeshta, në Bruksel por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Neë York dhe në vende të tjera. Është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian në këtë drejtim është unik. Gjithashtu është një mbështetje dhe do të jetë edhe një involvim direkt i SHBA. Vetëm një involvim direkt i tyre është garanci e fuqishme për neve që të marrim hapat dhe vendimet e shpejta, të drejta, të qëndrueshme dhe funksionale. Gjithashtu dua të theksoj se kësaj radhe pasi që është marrëveshja përfundimtare, në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si President i vendit do të propozoj që marrëveshja përfundimtare përpos aprovimit nga ekipi i unitetit apo edhe nga ekipi konsultativ që do të themelohet nga një spektër i gjerë i partive politike, shoqërisë civile, medieve, bashkësive fetare, do të krijoj mundësinë që vetë qytetarët e Kosovës, të aprovojnë të deklarohen rreth asaj marrëveshje përmes procesit të referendumit. Ne nuk mund t’i kalojmë gjërat që mund të jenë viktimë e inateve politike të politikave ditore. Marrëveshja e së ardhmes përfundimtare për normalizim dhe pajtim, që i hapë perspektivë të sigurt Kosovës brenda OKB-së, BE-së dhe NATO-s, duhet mendoj të jetë vullnet direkt i qytetarëve përmes referendumit.

Radio Kosova: Zotëri president, sa është e rëndësishme krijimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës në mënyrë që të vazhdoj dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në mënyrë që të arrihen këto marrëveshje, që siç thatë ju të kemi një pajtim të dy anshëm.

Thaçi: Definitivisht bota nuk pret, bota po na sheh. Pres themelimin e institucioneve të reja dhe që spektri politik të përmbyllë këtë proces sa më shpejt që është e mundur, për çka edhe kam besim se kështu do të jetë.