Derisa udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë hapur çështjen e vrasjeve të pasluftës, kjo nuk është befasi për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, sidomos në kohën para zgjedhjeve.
Ai në një intervistë për KosovaPress, u ka bërë thirrje anëtarëve të LDK-së që të mos përdorën këto vrasje për përfitime politike por të ndihmohet drejtësia.
Madje, kreu i shtetit përmend edhe letrat e dërguara tek kryeprokurori i vendit Aleksandër Lumezi, pikërisht për zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe vrasjeve tjera.
“Kjo çështje nuk është e një partie politike, as për përfitime politike të kujtdo qoftë. Unë i kam dërguar letra kryeprokurorit që t’i ketë si trajtim të posaçëm që vrasjet e personaliteteve publike të sqarohen deri në fund, prandaj është obligim i partive politike dhe institucioneve në vend që t’i politizojnë dhe manipulojnë me familjet e këtyre njerëzve, t’i japin mbështetje sistemit të drejtësisë. Kjo është rruga ime, qëllimi dhe vizioni im”, theksoi Thaçi.
Ish-lideri i PDK-së, partia e të cilit ishte akuzuar në të kaluarën nga LDK-ja se ka gisht në vrasjet e eksponentëve të saj, shton se riaktualizimi i tyre para zgjedhjeve nuk është befasues, porse më shumë i lëndon familjet e të vrarëve, se sa ua lehtëson dhimbjen.
Edhe
Thaçi: Ta mbyllim kapitullin e luftës dhe ta hapim atë të paqes
“Le të vlerësoj vet opinioni, por nuk është befasuese që çdoherë para zgjedhjeve hapen tema të tilla të ndjeshme për të lënduar edhe më tepër familjet e tyre, se sa për t’ua lehtësuar dhimbjen apo për të ndihmuar të vërtetën dhe drejtësinë. Ne duhet ta mbështesim drejtësinë e t’i lëmë politizimet”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Në këtë intervistë, presidenti Thaçi ka folur edhe për Komisionin për të Vërtetën. Kreu i shtetit konfirmon se një të ardhme të afërt, do të dekretojë edhe themelimin e këtij komisioni, pas konsultimeve që ka zhvilluar me të gjithë akterët, ku ka marrë opinionet pro dhe kundër.
“Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin do të jetë një komision i pavarur, nuk do të zëvendësojë drejtësinë, do ta ndihmojë drejtësinë. Unë besoj se edhe drejtësia, edhe pajtimi, edhe e vërteta mund të ndodhin në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, por kanë ndodhur gjëra jo të mira edhe ndaj komunitetit të tyre pas luftës, prandaj çdo zbulim i së vërtetës është mirë për vendin, është çlirim për vendin, është mesazh i pajtimit, kështu në të ardhmen e afërt do ta bëjë edhe dekretimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin”, tha ai.
Thaçi madje shprehet i bindur se ky Komision do të ketë sukses, meqë ka marrë mbështetjen e shoqërisë civile, mediave dhe familjeve të personave të pagjetur, si shqiptarë, ashtu edhe serbë. Megjithatë, ai thekson edhe kritikat që ka marrë për këtë iniciativë, të cilat i vlerëson si normale.
“Definitivisht besoj se do të ketë sukses, sikurse mos të besoja në të vërtetën dhe pajtimin as që do ta inicioja”, u shpreh presidenti Thaçi.
Edhe
A e këshillon Thaçi PDK-në për bashkëpunim me VV-në?
Në vazhdimin e intervistës, e cila do të publikohet nesër, presidenti Thaçi flet rreth procesit të themelimit të ushtrisë por edhe rreth asaj se a ka marrë mbështetjen e SHBA-s për të vazhduar këtë proces, a është iniciativa e tij si trysni për ta shtyrë SHBA-në dhe NATO-n, ta detyrojnë Listën Serbe të kthehet dhe të votojë ndryshimet kushtetuese, si dhe rreth hapave që do të ndërmarrë për dekriminalizimin e skenës politike dhe a beson ai se do ta përkrahë ish-partia e tij në këtë nismë.
Thaçi ka folur edhe për hapat që do të ndërmarrë ai si president nëse nuk kalojnë në Kuvend, Demarkacioni, Asociacioni dhe Ushtria, dhe a do të kërkojë shkuarjen në zgjedhje nëse dështon ky koalicion t’i përfundojë këto tema.