Në takimin këshillues të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, i cili po mbahet sot, po marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare të vendit.
Janë pra edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët më herët kishin bojkotuar çdo takim të thirrur nga presidenti Thaçi.
Thaçi në këtë takim ka thënë se Kosova është në afatet e parapara kohore për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, derisa ka shtuar se gjatë ditëve në vijim do të caktojë dhe shpall datën e zgjedhjeve, raporton KTV.
“Duke marrë parasysh se zgjedhjet e kaluara lokale janë mbajtur më 3 nëntor 2013, jemi në afate të parapara kohore. KQZ është shprehur e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kemi instaluar traditën e zgjedhjeve të lira e demokratike këtë e dëshmuam në zgjedhjet e fundit të parakohshme. Në ditët në vijim do të caktoj dhe shpall datën e zgjedhjeve duke marr parasysh propozimet tuaja”, ka thënë Thaçi.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka kërkuar nga përfaqësuesit e subjekteve politike që të mendojnë për një datë më të hershme se 3 nëntori.
“Ne tani jemi në afatet ligjore për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. KQZ ka obligim kushtetues që t'i organizojë ato. Ne organizuam zgjedhjet e fundit shumë të suksesshme, prandaj i falënderoj të gjithë. Sa i përket zgjedhjeve lokale kërkojmë nga përfaqësuesit e subjekteve politike që ta kenë parasysh se data sa më e hershme aq më mirë sepse po shkojmë drejtë dimrit e natyrisht që do të ketë edhe balotazh e atëherë mund të mbetet deri pas vitit të ri të bëhet certifikimi i zgjedhjeve”, ka thënë Daka.