Pavarësisht që kurrë nuk arriti ta mbante këtë zotim sa ishte në krye të partisë që ka më së shumti anëtarë në burgje dhe nën hetime për korrupsion, Hashim Thaçi thotë se po promovon idenë e dekriminalizimit të partive politike, raporton KTV.
Sipas presidentit Thaçi, njerëzit nën hetime nuk duhet lejuar të marrin poste publike, e as të përfshihen në listat zgjedhore.
Gjatë lansimit të “Programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë”, ai tha se partitë në Kosovë duhet të ndërtojnë një kod të mirësjelljes për këtë çështje. Edhe në këtë aktivitet, përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe të Nismës për Kosovën e kanë bojkotuar fjalimin e Thaçit.
Në anën tjetër, ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell, ka thënë se është shqetësues fakti që partitë politike janë më së paku të besueshme në Kosovë.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur.