Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi: BE, me naivitetin e saj për Kosovën, po bie pre e propagandës së Serbisë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim të vetin në Facebook, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zyrtarëve të BE-së dhe të Serbisë për siç, ka thënë ai, për gjoja "përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe" nga Tirana Prishtina, transmeton Koha.net.

Thaçi ka theksuar se “Shqipëria e madhe është propagandë e hershme e Serbisë, ndërsa e ka akuzuar BE-në se me “ naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky është postimi i plotë i Thaçit

Nuk ka asgjë më të pështirë dhe njëkohësisht qesharake, se të dëgjosh dokrrat e Serbisë për gjoja "përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe".

Sigurisht, riaktualizimi i kësaj propagande të vjetër të kohës së Millosheviqit nuk është aspak i rastësishëm. Kjo propagandë e Serbisë, ndër të tjera ka dy qëllime thelbësore.

Së pari, të legjitimojë funksionimin e Serbisë së Madhe të krijuar përmes gjenocidit të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dhe së dyti, t’i nxisë elementet nacionaliste dhe ekstremiste për të destabilizuar dhe cenuar integritetin territorial të Kosovës. Serbisë asnjëherë nuk i ka penguar Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran.

Në takimet e dialogut në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë pa fije turpi kanë thënë disa herë se Serbia do të preferonte të dialogonte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Por, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i përhershëm.

E gjithë kjo fushatë e orkestruar nga Serbia është e përgatitur nga protagonistët e njëjtë, të cilët 20 vjet më parë kanë ushtruar zanatin e njëjtë. Fatkeqësisht, BE-ja me naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande të Serbisë.

Për rrjedhojë, nuk është rastësi që sjelljet dhe deklaratat e disa zyrtarëve të BE-së përputhen me ato të zyrtarëve të Serbisë kur i referohen Kosovës. Unë nuk pres prej Serbisë të heq dorë nga ëndrrat e saj për përpjekje të serishme për rikthimin e Kosovës nën regjimin e saj, edhe pse e dinë që kjo është e pamundur.

Mirëpo, pres nga BE- ja që ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos manipulohet kaq lehtë nga Serbia.