Dridhje të fuqishme toke janë ndier të premten në rajone të ndryshme të Kosovës. Qytetarë të shumtë kanë raportuar se dridhjet i kanë ndier pas orës 23:00.
Lëkundja ka ndodhur për shkak të tërmetit të fuqishëm me magnitudë 5.9 që ka goditur Bosnjën.
Rrjeti Sizmologjik i Kosovës ka thënë se tërmeti në Bosnje ka ndodhur në orën 23:07. Sipas njoftimit, tërmeti është ndier në Kosovë për shkak të fuqisë së lartë që ka pasur në epiqendër dhe veprimet e energjisë së liruar në një rreze deri në 400 kilometra.
Lëkundjet janë ndier në të gjithë rajonin e Ballkanit.