Për të realizuar fushatë vetëdijesuese për riorganizimin e shkollave në kryeqytet, Komuna e Prishtinës ka ndarë 15 mijë euro. Sipas nënkryetares së Prishtinës, Jehona Lushaku, operatori ekonomik ka për detyrë të informojë prindërit për procesin e mësimit tërëditor. Por kjo detyrë është vlerësuar se i takon menaxhmentit të shkollave
Komuna e Prishtinës ka hapur tender për të angazhuar një kompani për të zhvilluar fushatë vetëdijesuese për riorganizimin e shkollave në kryeqytet. 15 mijë euro është shuma që i është ndarë operatorit ekonomik me emrin “Donjeta Gashi Hamzaj” për të realizuar këtë fushatë. Në dosjen e tenderit shkruan se kjo fushatë duhet të përfundojë deri më 31 tetor, por se autoriteti kontraktues ka kërkuar nga zyra e Prokurimit Publik që kontrata të zgjatet për 90 ditë.
Në dosjen e tenderit nuk shkruan për detyrat e përgjegjësitë që i takojnë kësaj kompanie, por specifikohen kërkesat që kompania duhet t’i përmbushë për ta fituar tenderin, si të ketë të angazhuar menaxher të projektit, regjisorë, gazetarë, tekstshkrues, dizajnerë grafikë, videograf, montazher, fotograf, organizator, skenograf, koordinator dhe specialist të rrjeteve sociale.
Sipas nënkryetares së Prishtinës, Jehona Lushaku, operatori ekonomik ka për detyrë të informojë prindërit për procesin e mësimit tërëditor.
“Qëllimi kryesor ka qenë me i informuar prindërit se çfarë i pret, se çfarë roli ka kjo reformë, cilat do të jenë implikimet dhe si ndryshon orari, çfarë roli ka kjo reformë, cilat do të jenë implikimet dhe si ndryshon shkolla, orari dhe krejt këto janë informata bazike për prindërit”, ka thënë ajo. “Ne kur e kemi filluar mësimin tërëditor nuk e kemi pasur këtë fushatë. Jemi detyruar ta bëjmë të vetëm dhe unë kam hy e kam dal nëpër studio për t’i dhënë këto informata. Tani është kryer si procedurë. Do të vazhdojmë me tjetrën, ne nuk do të ndalim këtu dhe viti përpara që do të vijë 2025 do të shënojë një dyfishim të shkollave dhe për këtë kemi nevojë për t’i dhënë informacionet në kohë reale”, ka shtuar Lushaku.
Sipas rregullores për funksionimin e institucioneve edukativo-arsimore, informim apo bashkëbisedimi me prindërit i takon stafit të shkollës.
“Për një punë efektive dhe të gjithanshme me nxënësit, kujdestari i klasës duhet të punojë në mënyrë aktive me të gjithë prindërit e nxënësve, në takimet e caktuara periodike. Mësimdhënësi kujdestar thërret me fletëthirrje prindërit në takim, të cilat takime duhet të organizohen dhe të planifikohen mirë ku do të këmbehen mendime dhe përvoja lidhur me nxënësit. Përveç mbledhje të rregullta, mësimdhënësi kujdestar mund të komunikojë me prindërit e nxënësve përmes vetë nxënësve, me telefon, në mënyrë elektronike etj”, shkruan në nenin 29.
Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, thotë se kjo detyrë i takon menaxhmentit të institucioneve arsimore
“Nëse kontrata parasheh zhvillimin e materialeve vetëdijesuese, atëherë kjo nuk do të duhej të prezantonte ndonjë problem, pasi dyshoj që një shërbim të tillë mund të zhvillojë dikush brenda Drejtorisë komunale të Arsimit, mirëpo të njëjtën kohë i takon vetë komunitetit të shkollave, mësimdhënësve, këshillave drejtues të shkollave dhe vetë menaxhmentit të shkollave që të promovojë benefitet, strukturat e organizimit të mësimit tërëditor”, ka thënë ai.
Mësimi gjithëditor ka filluar në katër institucione arsimore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.