Me rastin e vdekjes së veteranit e ish-komandantit të UÇK-së, Shaban Dragaj, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Dragaj.
“Me pikëllim e dhembje të thellë mora lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, veteranit e komandantit të UÇK-së, bashkëqytetarit tonë shumë të nderuar e të respektuar, Shaban Dragaj. Në emrin tim, të bashkëpunëtorëve të mi dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta”, thuhet në telegramin e Bahtirit.
Në vazhdim kryetari Bahtiri thotë se “shkuarja në amshim e njeriut që ka dhënë kontribut të çmueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe në ndërtimin e saj pas lufte, është një humbje e madhe jo vetëm familjarët e të ndjerit, por edhe për tërë qytetin e Mitrovicës e më gjerë”.