Arbëri

Të ndryshëm, por të barabartë

Trembëdhjetë vjet më herët, Sebahate Beqiri, po numëronte ditët e pritjes së saj të ëmbël.

Do të bëhej nëna e Gencit, djalit që lindi me një kromozom më shumë.

Sebahatja ishte e lumtur me Gencin në krah, por çastet e lumturisë ia prishën disa nga ata që kishin të veshur mantelin e bardhë.

Diskriminimi ndaj Gencit nisi qysh në ditën e parë, ende pa dalë nga spitali ,e qasje jo dinjitoze kishte edhe ndaj nënës së re vetëm pse solli në jetë një fëmijë me sindromën down.

Ishte kjo dita që Sebahatja vendosi të bënte kthesë të madhe në jetën e saj dhe djalit të saj.

Tashmë mision kishte ndryshimin e mentalitetit ndaj njerëzve që mund të duken ndryshe, por që janë të njëjtë sikur të gjithë të tjerët.

Ajo u bë rruga që e ndoqën shumë prindër që për fëmijët e tyre me sindromën down të bënin të pamundurën.

Tash, Genci, u bë trembëdhjetë vjeç, e falë angazhimit të prindërve të tij, por edhe shumë prindërve të tjerë trajtimi e qasja ndaj tyre në shoqëri ka ndryshuar.

Genci, ka shumë shokë e shoqe që janë pjesë e qendrës së Down Sindrome Kosova në Prishtinë.

Aktivitetet e tyre janë të shumta, e falë punës së madhe që bëhet me ta shumë kanë arritur të pavarësohen e të aftësohen për punë.

Kafiteria e tyre njihet si kafiteria më e ëmbël në Prishtinë, aty ku më shumë se kafe e çaj, shërbehet dashuri, butësi e buzëqeshje.

Përveç kësaj, edhe tjetër ëmbëlsi vjen nga duart e tyre.

Aty në qendër punojnë me mjaltë e xhem të cilat i paketojnë të gatshme për shitje.

Tjetër punë me shumë vullnet që bëhet nga ta janë edhe kartolinat.

Ato dalin në shitje për festat e fundvitit, por jo vetëm atëherë.

Shumë çifte zgjedhin që ftesat për dasmën e tyre të jenë të punuara nga këta të rinjë.

Por, thuajse secili nga të rinjtë e qendrës së Down Sindrome Kosova në Prishtinë kanë edhe angazhime të tjera.

Është Aldi Hoxha, që ka arritur të shndërrohet në kamarierin më simpatik të kryeqytetit.

Ai ka nisur punën në një nga kafiterinë e Prishtinës, e kafja nga duart e tij po kërkohet çdo ditë e më shumë.

Kolegët e duan dhe e çmojnë shumë jo vetëm Aldin, por të gjithë shokët e tij.

Kjo është vetëm pjesa e parë e angazhimit ditor për Aldin.

Ai pjesën tjetër të ditës vazhdon punën dhe aktivitetet tjera në qendër, aty ku ka krijuar shumë miq.

Një nga to është Medina, vajza me shumë medalje.

Ajo është një nga notaret më të mira që përveç notit veten e ka sfiduar edhe në skijim, vallëzim e aktrim.

Por, pavarësisht kësaj ajo nuk e ka lënë prapa angazhimin në qendër pranë shoqeve e shokëve të saj.

Që aftësitë e tyre të dalin në pah punohet shumë, sikurse bën trajneri, Mejdan Guraziu, që është përgjegjës i aftësimit profesional.

Ai thotë se këta persona dinë të japin më shumë se dashuri.

Por, jo të gjithë personat me sindromën down mund të kenë mundësinë të kenë qasje në qendrat e veçanta për ta.

Ajo që është shumë me rëndësi për këta persona, sidomos gjatë rritës dhe zhvillimit të tyre është që të socializohen me fëmijët e gjeneratës.

Kështu po ndodhë në Let Center, institucion ky privat, por që në mesin e fëmijëve ka shumë nga ata me nevoja më specifike.

Psikologu, Lorik Zhitia, thotë se socializimi i këtyre fëmijëve ka ndodhur shumë shpejtë dhe janë pjesë e barabartë e të gjitha aktivitetetve në këtë qendër.

Psikolog, terapeut, e logoped ka edhe në qendrën e Down Sindromë Kosova në Prizren, aty ku përkushtimi ndaj personave me kromozomin e 47 është i madh.

35 deri në 40 sillet numri i atyre që marrin shërbime në këtë qendër e të cilët aftësohen e pavarësohen për punë të ndryshme.

Rasti i fundit është i punësimit të tre personave.

Njëra u punësua në barnatore, tjetri në fabrikë barërash dhe i treti si kamarier një një kafiteri të frekuentuar në qytet.

Hapësira ku veprojnë në shikim të parë duket e madhe, por është e pamjaftueshme për numrin në rritje të këtyre personave që e frekuentojnë atë gjatë një dite.

Shumë aktivitetet bëhen brenda mureve të këtij objekti në zemër të qytetit historik.

Këto të fundit janë më të përqendruara në art me ngjyra meqë javën që vjen pikturat e tyre do të ekspozohen në hamamin e qytetit të Prizrenit.

Plot ngjyra ishte piktura e Rinorit, djaloshit energjik të kësaj qendre.

Dalore Likaj njihet si vajza punëtore e kësaj qendre .

Ajo pjesën e parë të ditës punon në barnatore, e lumturinë nuk mund ta fsheh kur tregon se mori pagën e parë .

Ka arritur të jetë e pavarur në të gjitha aspektet e rrugën nga shtëpia në punën e saj të re e pastaj nga puna në qendër e bën tërësisht vetëm

Pjesa tjetër i takon angazhimit në qendër.

Ajo ka treguar se si shkon procedura e punës së një qiriu, deri kur finalizohet.

E ata që duan të blejnë qirinj të punuar nga duart e personave me sindromën Down, mund të ulen të pinë edhe kafe, të shijojnë ushqim madje edhe ëmbëlsira.

Aty nga mesdita punon edhe Selimi, djaloshi që deri në ora 12:00 punon si kamarier në një nga lokalet e Prizrenit.

Pavarësisht angazhimit të madh të personave vullnetmirë, kjo kategori ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale.

Qysh moti ishte premtuar objekti në kryeqytet për ta, hapësirën për ndërtimin e së cilës vite më parë e ndau komuna, porse ende nuk janë vendosur themelet e saj.

Kjo qendër në kryeqytet do të jetë e përbashkët për personat me sindromën down dhe për ata me autizëm.

Këta të fundit aktualisht po funksionojnë në një pjesë të qendrës së Mjekësisë Familjare në Arbëri me kushte relativisht të mira, por hapësira po bëhet e pamjaftueshme.

Vetëdijësimi i prindërve është rritur, prandaj drejtori i Shoqatës “Autizmi” thotë se janë rritur edhe kërkesat për të marr shërbime në qendrën e tyre.

Cenë Krasniqi që është vetë baba i një fëmije autik thotë se kjo ishte arsye që e nisi edhe rrugëtimin për të kontribuuar për këta fëmijë.

Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti beson se objekti për të dyja këto kategori do të nisë së ndërtuari këtë vit.

Shoqata turke TIKA si investitorja kryesore nuk është përgjigjur se kur pritet të finalizohet ky projekt.

Pavarësisht hapësirës së vogël ku punohet me këta persona, dashuria që del përtej mureve është e madhe.