Të dielën, nesër, do të ndryshohet ora për një orë prapa. Në momentin kur ora do të shënojë 03:00, akrepat duhet të kthehen për një orë prapa, në orën 02:00.
Në këtë mënyrë rikuperojmë orën që “humbëm” në fund të marsit duke vijëzuar orët me lëvizjen e diellit. Do të flemë një orë më shumë në mëngjes, por do të humbasim një orë dritë natyrale në mbrëmje.
Në Evropë së fundmi ka pasur një debat të nxehtë për ndryshimin e orës. Megjithatë mund të jetë hera e fundit që ajo do të ndryshojë.
Prilli i 2021-shit do të vendosë se ç`do të bëhet me temën e shumëdiskutuar të ndryshimit të orës dy herë në vit.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës dhe për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në prill të vitit të ardhshëm për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.