Arbëri

Taksisti i Prishtinës që i ushqen pëllumbat gjatë kohës që nuk ka punë

Rreth orës 10 të mëngjesit mblidhen shpezët e qytetit afër “Hotel Grandit”.

Është kjo koha kur Ekrem Morina çdo ditë hedh copëza buke që i merr nga një lokal aty afër.

Megjithëse me profesion është taksist, ai këtë e bën me dëshirën më të madhe për pëllumbat dhe zogjtë e malit, të cilët gjatë dimrit e kanë të vështirë të gjejnë ushqim.

“Qe dy ose tre vjet ju qes pëllumbave, rrimë tonë ditën kemi kohë, kam qejf t’i shoh kur të hanë. Kur dalë, nganjëherë si të vij në 7 ju qes”, tha Morina.

Është koha e dimrit, kur pëllumbat vijnë dhe presin edhe gjatë ditëve që Morina nuk ka ushqim për t’iu dhënë.

“Gjatë tërë vitit e bëj, por verës nuk vijnë shumë, ndërsa dimrit më shumë, ndiej kënaqësi”, tha Morina.

Përveç tij, me këtë punë vullnetare merret dhe një taksist tjetër.

“Edhe një taksist tjetër ju blen grurë, tha Morina.

Përveç kësaj, ai flet edhe për vështirësitë që i ka gjatë kohës që ushtron profesionin e taksistit.

Kolonat janë ato që po iu sjellin telashe të mëdha.

“Është e vështirë se nafta është shtrenjtuar, por më e vështira është kolona. Rruga që bëhet për 10 minuta e bëjmë për 40. Ka humbje, nganjëherë fitim, por një familje mund ta mbajmë. Por tani nuk po ka shumë punë”, tregon ai.

Për pëllumbat në sheshet e Prishtinës kujdesen edhe qytetarët.