Caktimi i datës së takimit të radhës të nivelit të lartë ka mbetur në dorë të ndërmjetësuesve të dialogut Kosovë-Serbi. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ende nuk ka ftesa zyrtare, dhe nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Nga takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq nuk ka pritje të mëdha, derisa nga njohës të procesit bëhet thirrje për kornizim të dialogut
Periudha pa takime, tash e një vit, do të përmbyllet në fund të muajit korrik. Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare, takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq pritet të mbahet në pjesën e dytë të korrikut. Megjithëkëtë, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se koha e mbajtjes së takimit varet nga ndërmjetësuesit e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell, e emisarit për dialogun Miroslav Lajçak.
“Është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim të kryenegociatorëve dhe pastaj edhe të krerëve shtetërorë, kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Mirëpo ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, thuhet në përgjigjen me shkrim që ka dhënë për KOHËN zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.
Një takim midis Kurtit e Vuçiqit ka kohë që është paralajmëruar. Vetë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në fund të qershorit, ka deklaruar se synojnë që krerët e të dyja shteteve t’i takojnë para pushimeve të verës. Lajçak ka thënë se konsideron se ka ardhur koha që mes liderëve të Kosovës e Serbisë të ketë takime më të shpeshta. “Plani ynë është që të kemi takime më të shpeshta, të rregullta, në mes të kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq”, ka thënë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media më 29 qershor.
Duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet mes tyre, nga takimi i radhës nuk ka pritje të larta.
Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, ka thënë se vështirë se do të ketë progres.
“Marrë parasysh qëndrimet e shtetit serb, është vështirë të presim një progres të madh nga ky takim i parë, po ashtu, marrë parasysh pozicionin gjeopolitik të Serbisë me luftën në Ukrainë, sanksionet që i janë vënë Rusisë, dhe kjo lufta perëndimore. Në këtë situatë Serbia nuk është në pozitën më të mirë politike në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, sipas tij, procesi i bisedimeve tani e tutje duhet të fokusohet në përfundimin e tij.
“Do të ishte mirë që këto takime të kishin një kornizë pak më të qartë, të mos bëheshin vetëm me tema që janë të së kaluarës, në kuptimin e marrëveshjeve teknike dhe të ngufatemi me to, por të kornizohet procesi drejt një përfundimi ku për Kosovën do të ishte në qendër njohja reciproke...”, ka thënë Fetahu, teksa ka shtuar se me këtë çështje, të kornizimit të bisedimeve, do të duhej të merrej Bashkimi Evropian.
“Takimet janë të mirëseardhura pasi me zhvillimin e dialogut ndoshta mund të gjenden hapësira të reja për marrëveshje të reja apo edhe për zhbllokimin e situatave të caktuara që janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë ai.
Fetahu, që në Grupin për Studime Politike dhe Juridike përcjell mbarëvajtjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se shpresë për lëvizje në diskutimet mes krerëve të të dyja shteteve ka dhënë Udhërrëfyesi për energjinë, derisa në takimin e radhës mund të arrihet një marrëveshje për targat.
“Ndonjëherë dialogu mund të na befasojë dhe mund të ketë hapësirë edhe për marrëveshje të reja, ndoshta përfundim të marrëveshjes për targat, që të bëhet marrëveshja e dyanshme edhe me një përfundim final, në kuptimin që të hiqet marrëveshja që është ende në fuqi, ajo me afishe”, ka thënë ai.
Paralajmërimet se në korrik do të mbahet takimi në kuadër të dialogut, ditë më parë i ka hedhur poshtë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se është duke iu ikur takimeve.
“S’është e vërtetë. Nuk më ka pyetur askush. Nuk iki unë nga ndonjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet. Unë nuk iki”, ka thënë ai. Se takimi mes Kurtit e Vuçiqit do të mbahet në korrik, në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj slloven, Borut Pahor, e bëri presidentja Vjosa Osmani. Për takimin e radhës, javën e fundit, nuk kanë pranuar të përgjigjen zyrtarët e Bashkimit Evropian. Një takim mes kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë, para pushimeve të verës, e paralajmëroi emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Vizitën e tij, në Kosovë e Serbi, Lajçak ka thënë se e ka bërë për të kryer përgatitjet lidhur me takimin.
Por, derisa në Kosovë Lajçak u shpreh optimist për atmosferën, qëndrimi i tij ndryshoi në Serbi. Atje Lajçak u ballafaqua me një situatë të re, atë të kundërshtimit të disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në përdorimin e dokumenteve me Serbinë.
Në Serbi, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ka thënë se ky vendim ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.
“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet ta zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, kishte thënë Lajçak në Serbi.
Në ditën që Lajçak përfundoi vizitën në Kosovë e u nis për në Serbi, Qeveria e Kosovës vendosi që qytetarët me dokumente të Serbisë do të pajisen me një fletë deklarim, ashtu siç bëjnë autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës që hyjnë në Serbi. Po ashtu, nëpërmjet një vendimi tjetër, Qeveria u ka dhënë edhe një mundësi pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia. Në vendim thuhet se ata mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS nga 1 korriku deri në fund të muajit shtator. Ky vendim erdhi dy muaj pas përfundimit të afatit të përcaktuar nga Bashkimi Evropian për arritjen e një marrëveshjeje për targat. Kjo marrëveshje e cila çtensionoi situatën e krijuar në veri vitin e kaluar, nuk u arrit përkundër diskutimeve mes grupeve punuese për gjashtë muaj me radhë.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës karshi Serbisë nuk u pritën mirë nga zyrtarët serbë. Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se veprimet e tyre pas vendimeve të Kosovës do të jenë vdekjeprurëse, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, konsideroi se dialogu është vendosur në prag të humnerës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që nga korriku i vitit të kaluar janë takuar tri herë, llogaritur këtu edhe darkën joformale të mbajtur në Berlin. Të dy takimet e nivelit të lartë, në qershor e korrik, përfunduan pa ndonjë epilog për shkak të mosdakordimeve të krerëve.