Partitë opozitare janë shprehur të gatshme që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do ta formojnë Qeverinë.
Pas kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shtuar se qeverinë e ardhshme do ta krijojë opozita.
Ai ka deklaruar të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më në qeverisje.
“Jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe jemi të bindur se në këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë qeverinë dhe qeverinë do ta krijojë opozita”, ka thënë ai.
Ai ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së me mbështetjen e 40 deputetëve kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çmimin e energjisë elektrike.
Tahiri ka theksuar se i ka propozuar Kuvendit një rezolutë që të kërkohet ulja e çmimit.
“Ditën e enjte do ta kemi vetëm seancën e propozuar nga GP i PDK-së...300 milionë euro nuk janë shfrytëzuar nga qytetarët, pikërisht për shkak të kësaj qeverie. Konsiderojmë që sa më herët të shkojmë në zgjedhje, përfitues do të jenë qytetarët e vendit tonë...Kur flasim për sondazhe, ju e dini që pikërisht kanë qenë të njëjtit, komplet opozitën e kanë nxjerrë me 3-4 komuna. Ju e dini që partitë opozitare i ka 2/3-at e komunave. Konsiderojmë që ne nuk i marrim për bazë fare sondazhet e tilla. Ne sot shohim pakënaqësinë e qytetarëve, e shohim tendencën për largim nga vendi”, ka theksuar ai.
Ndërsa shefi i GP-së së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Kurti më së shumti mund të jetë në pushtet edhe një vit.
“Jemi në një fazë delikate, në të cilën po kalon vendi. Maksimumi i mundshëm që Kurti do të jetë në pushtet është tash një vit. Ne jemi tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, po i referohemi fundit të kësaj qeverisje dhe kur ne i kthehemi qytetarëve”, ka thënë ai.
Gashi më tej ka thënë se ky vit po fillon me seancën e jashtëzakonshme që lidhet me çmimet e larta të energjisë elektrike.
“Po fillojmë me një seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimet e larta të energjisë elektrike, faturat e jashtëzakonshme që kanë shkaktuar shqetësim të jashtëzakonshëm te qytetarët e Republikës. Do të diskutohet pse janë këto fatura kaq të fryra dhe cilat duhet të ishin zgjidhjet. Vazhdojmë të kemi shqetësimin e njëjtë nga vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar komisioni hetimor për rezervat shtetërore”, ka thënë ai.
Edhe shefi i GP-së së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk do të mund t’i fitojë mbi 50 për qind të votave.
“Viti 2024 është vit zgjedhor. AAK-ja në këtë vit zgjedhor hyn më e përgatitur se kurrë. AAK-ja do të jetë boshti politik. Unë pres që zgjedhjet të jenë të rregullta për shkak se nuk ka shans Albin Kurti ta lë gjithë këtë privilegj se s’mundet me i marrë 50 për qind”, ka theksuar ai.
Derisa ka folur për çmimet e energjisë elektrike, Tahiri ka thënë se nuk ka logjikë që ky çmim të jetë më i lartë kur çmimi në tregun ndërkombëtar ka rënë.
“Çështje tjetër shumë e rëndësishme për ne ka të bëjë drejtpërdrejtë me pagat në sektorin publik. Është i vetmi shtet që për tri vjet njihen problemet që kanë qenë me inflacion, me rritje të çmimeve e mosngritje të pagave. I ka mashtruar në barazi, s’ka barazi se pa qenë anëtar i VV-së s’mundet të hysh në punë, as në institucione të pavarura e as Qeveri. Nuk ka barazi në investime, nuk ka barazi të pensionistët, në sektorin privat e ka blloku paranë. AAK-ja do të adresojë të gjitha temat që për neve janë brengë e qytetarëve të Kosovës, me të vetmen arsye që Kosova është kah zbrazet. Është jetike, është veprim kombëtar që të rritet standardi i jetës”, ka thënë ai.
Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është deklaruar edhe shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Nuk kemi ndonjë seancë të rregullt, fillim ky që unë e quaj jo të mbarë pasi që do të duhej të kishim një seancë të rregullt që fillon me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me agjendën që i ka 31 pika, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe një mori projektligjesh që i kanë plotësuar kushtet për të ardhur në seancë e për t’u votuar në dy leximet. Kemi një listë të arritjeve dhe sukseseve që kanë filluar të zbatohen në raport me pozicionin e Republikës sonë në subjektivitetin ndërkombëtar prej procesit të liberalizimit të vizave, te njohja e pasaportës së Kosovës nga të gjitha vendet jonjohëse, përfshirë edhe Spanjën”, ka thënë ajo.