Arbëri

Tahiri s’është pishman për fusnotën, thotë se ka politikanë që s’u bëhet vonë për izolimin

Edita Tahiri, ish-shefe e ekipit të bisedimeve të Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, ndonëse hezitoi të thotë nëse do të nënshkruante ose jo përsëri marrëveshjen që Kosovës i solli fusnotën, ajo përmendi sukseset që sipas saj, Kosova i gëzon nga fusnota.

“A ma mirë Kosova të mbetet e izoluar pa Marrëveshjen Stabilizim Asociim, e izoluar në shtëpi apo më mirë të ndiqen mekanizma ndërkombëtarë që aplikohen në raste të ngjashme kur ka mos njohje të pjesshme. Kosova ka arritur sukses”, theksoi Tahiri.

“Ka politikanë që nuk iu bëhet vonë a ka mbet Kosova e izoluar apo jo, ka të tillë që janë të kënaqur kështu sepse nuk u bën përshtypje sa ka ecur bota dhe ku ka mbetur Kosova”, shtoi më tej ajo.

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vlerësojnë ish-zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.