Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Tahiri ka thënë se rritja që parashihet me buxhetin e ri është shumë e ulët, tallje për nëpunësit publik dhe se Qeveria po mashtron.
“Qeveria vazhdon të tallet me nëpunësit publik. Me buxhetin e ri, i bie të kemi një ngritje të koeficientit për pesë euro. Në total, një shumice dërrmuese të kategorive buxhetore i bie të kenë 30 deri në 80 euro më shumë të hyra mujore. Duke ditë inflacionin kjo nuk është rritje reale nominale. Thënë ndryshe qeveria nominalisht rritë pagat, por realisht mashtron!” ka shkruar ai në Facebook.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Kurti ka theksuar se me këtë Projektligj parashihet që koeficienti i pagave në sektorin publik do të jetë 110 euro.
“Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij vitit se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik, ashtu siç kemi thënë”, është shprehur Kurti.