Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria ka për qëllim instalimin e frikës dhe kontrollin e përgjithshëm me vendimin e marrë për pezullim nga detyrimet, si e drejta për pagesë.
Tahiri ka thënë se ky vendim është kërcënim dhe shantazhim ndaj grevistëve.
“Mungesa e dialogut dhe komunikimit të strukturuar ka rritur hendekun mes Qeverisë dhe sindikatave që po shtyn punëtorët në greva, e kriza sociale. Kërcënimi dhe shantazhimi i grevistëve është pjesë e një mendësie arrogante e autokratike, që në vend të dialogut, zgjedh përjashtimin dhe segregacionin social. Qëllimi i kësaj mendësie është instalimi i frikës, duke i hapur rrugë kontrollit dhe dominimit total. Kjo qasje herët a vonë do të rezultojë me një kundërshtim gjithëpopullor”, ka shkruar Tahiri.
Greva si veprim sindikal, sipas tij, është e garantuar me ligj të veçantë.
Ministria e Financave u ka dërguar grevistëve një dokument të enjten, ku thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga detyrimet.
Edhe
Tahiri: Kurti përmes grevës po e mat rezistencën qytetare
“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.