Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se prezantimi i buxhetit që po iu bëhet qytetarëve në komuna është mashtrim i madh, sepse sipas tij, buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar të dielën se rreth çështjes së buxhetit janë tri probleme.
“E para, në mungesë të rezultateve, Qeveria ka nisur të prezantojë buxhetet edhe të komunave, kur dihet se buxheti komunal është i rregulluar si financim i rregullt, llogaritur 10% e buxhetit të shtetit në grantin e përgjithshëm, ai për arsim dhe shëndetësi. E dyta, se kjo Qeveri edhe po cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, si ai për grabitjen e të hyrave vetanake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizate humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investiv nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to”, tha Tahiri.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të AAK-së, nëse Qeveria do të donte t’iu ndihmonte komunave, nuk do ta hiqte nga agjenda legjislative miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku sipas tij, parashihej financimi i shërbimeve sociale.
“Qeveri, mos bëni lojë numrash me qasjen se ky është buxheti me i madh 'historik' sepse është vetëm aq sa është reflektuar inflacioni, asgjë më pak e asgjë më shumë”, tha ai.