Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në sesionin e fundit të Javës së Gruas për vitin 2017 me temën “Deshifrimi i Bashkimit Evropian” të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar me mbështetjen e USAID.
Ajo tha se fuqizimi dhe barazia e grave në Kosovë dhe në botë ka bërë përparime, por ende sfidat mbeten të mëdha për të arritur qëllimin final, “që gratë dhe burrat të janë të barabartë në vendimmarrje, aty ku përcaktohet ardhmëria, zhvillimi dhe përparimi”.
“Për mendimin tim, neve na duhen analiza të sakta se ku jemi sot me barazinë për gratë, cilat janë sfidat dhe barrierat për neve dhe cilët janë rrugët për t’i përballuar këto sfida”, theksoi Tahiri.
Ministrja tha se Kosova në periudhën e pasluftës është bërë model në rajon për fuqizimin e grave, duke theksuar se vendi ynë është i pari që ka gjetur formën e sjelljes së gruas në vendimmarrje, në Parlament në fillim dhe pastaj edhe në qeveri, sepse “jemi të parët në rajon që kemi instaluar kuotën prej 30% që nga viti 2001”.
Kjo gjë, sipas Tahirit, është bërë për shkak se “kemi pasur parasysh mentalitetin dhe kulturën, e cila nuk ka mundësuar natyrshëm që gruaja të marrë rolin e saj që e meriton, por duhej mekanizma artificialë, që të kemi mundësi pastaj që të punojmë në procesin filozofik të vetëdijesimit të shoqërisë, për të mbështetur gratë barabartë si burrat”.
“Pse patëm sukses, ishte se ne gratë ishim një krah i fuqishëm i lëvizjes dhe i luftës tonë për pavarësi si dhe liri. Gratë janë forca e re që po i vjen shoqërisë në shekullin njëzetë e një. Deri më tash bota ka punuar me kapacitete të përgjysmuara sepse në të nuk janë përfshirë gratë. Gratë janë një kapital strategjik që duhet të përfshihet në proceset e zhvillimit dhe demokracisë në botë dhe vendet tona”, u shpreh ministrja Tahiri në konferencën e NDI-së.
Kosova, sipas saj, e ka interes strategjik që në vend që të punojë me kapacitete të përgjysmuara, të punojë me kapacitete të plota dhe të investojë në fuqizimin e grave sepse, siç tha ajo, është investim strategjik.
Kosova, tha Tahiri, ka gra të fuqishme, ka shkollimin, emancipimin e tyre dhe, siç u shpreh ajo, “vetëm na mbetet që politikat nacionale të jenë më të hapura që gratë dhe burrat të jenë të barabartë kur vendosim për ardhmërinë tonë”.
“Vetëm t’ju përmendi se në Parlamentin tonë, në krejt komisionet e vështira punët i udhëheqin gratë por në krye të parlamentit më pak ka gra, te Qeveria po shkojmë, ministra më shumë burra, sekretarë të përgjithshëm gati krejt burra, ndërsa në drejtoritë aty ku kryhet puna janë gratë. Pra, barazia është që në qoftë se gratë dëshmohen atëherë duhet të dalin në ballë barabartë me burrat”, theksoi ajo.
Ajo kërkoi që të rrëzohen muret dhe të nxirren gratë në pah në mënyrë që përveç ekonomisë dhe punësimit t’i japim më shumë qasje grave në drejtësi.
Ajo përmendi edhe çështjen e drejtësisë ndërkombëtare për ta njohur problemin e viktimave të luftës, viktimave të dhunimit gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se këto janë gjëra konkrete që i kemi në agjendë.
Ndër të tjera, në këtë fjalim, Tahiri foli edhe për demarkacionin, problem për të cilin tha se duhet të votohet nga parlamenti “sepse qytetarët kanë mbetur të izoluar”.
“Tani vetëm këtë kusht e kemi, e kemi plotësuar kushtin për nivelin e luftës kundër korrupsionit për këtë fazë që është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Pra vetëm vota e deputetëve e mundëson që nesër të lëvizim lirshëm nëpër Evropë. Këtë e bëri të qartë edhe znj. Mogherini, pra votoni demarkacionin jepni shansë qytetarëve që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Shikoni, ne qeveritaret kemi vizat, të gjithë deputetët kanë viza se kanë problem, por kush po pëson janë qytetarët tanë që nuk i kanë vizat”, u shpreh ministrja për Dialog, raporton Koha.net.
Veç temës së demarkacionit, Tahiri foli edhe për çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës.
“18 vjet pas luftës Kosovës i takon ushtria. Ne kemi FSK-në por duhet ta bëjmë ushtrinë tonë, një ushtri moderne sipas standardeve të NATOS veçmas në këtë fazë kur agjenda gjeopolitike ka ndryshuar me dinamika të rrezikshme. Ne mposhtëm okupimin, ne bëmë luftë për liri dhe jo vetëm Kosova por të gjitha vendet e rajonit, ne mposhtëm komunizmin, mposhtëm ndikimin rus në Ballkan, e përcaktuam fatin me bllokun euroatlantik. Por tani po shohim rreziqe që po vijnë nga Rusia me ambicie gjeopolitike ndaj rajonit të Ballkanit. Prandaj, ne gratë bashkë me burrat duhet t’i bëjmë të njohur botës se jemi euroatlantik me vizion dhe punojmë për reforma, ndërsa miqtë tanë perëndimor tani është koha që të na ndihmojnë më shumë dhe mos të lejojnë që humbësit nostalgjik si Rusia të na kthehen në rajon”, deklaroi Tahiri.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, për çështjen e barazisë gjinore tha se “as bota nuk është më mirë”.
Në fund, Tahiri tha se ka shumë besim në fuqizimin e grave të Kosovës.
“Ne e treguam këtë edhe gjatë luftës, edhe gjatë lëvizjes paqësore edh në luftën e armatosur, ka pasur gra bile edhe në ballë si heroina jonë Xhevë Lladrovci apo vetë unë kam qenë e vetmja grua në udhëheqjen e LDK si lëvizje paqësore. Ka pasur plotë gra në luftën tonë për pavarësinë e Kosovës dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Ne kemi fuqinë, frymëzimin e pashë sot, e treguat me duartrokitje ju lumtë, të ecim përpara. E para ta kemi 30 përqindëshin e grave në Qeverinë e Kosovës të cilën nuk e kemi, ende vetëm në Parlament, e më vonë e bëjmë edhe 50 për qind”, përfundoi ministrja Tahiri.