Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të bëhen ndryshime në Ligjin e Pagave e jo të bjerë ai.
Të hënën u publikua drafti i Ligjit për Paga, ku pati reagime të shumta, ndër të tjera nga sindikatat si ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë.
“Zhvendosja e debatit për Ligjin e Pagave në media pa ndodhur dialogu i mirëfilltë me partnerët institucionalë dhe me Kuvendin e minon procesin që në nisje. Mos reflektimi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Institucionet e Pavarura Kushtetuese, është tendencë e qartë për ta dështuar ligjin. Madje, edhe vetë shtojca 8, paga e drejtuesit të lartë në ministri, është më e madhe se në Agjencitë e Pavarura Rregulluese”, ka shkruar Tahiri në Facebook. “Ky proces, pa parime të qarta, se cila është baza e nisjes llogaritëse (vlera e koeficientit). Rritja e hendekut të pagave nga 1 me 10 në 1 me 20; më tepër synon akomodimin e diskriminimit, sesa parimit paga e njëjtë për punën e njëjtë. Vendosja e koeficientit asokohe 239, ka qenë niveli bazë i pagës minimale brenda administratës shtetërore”.
Ai ka thënë se në veçanti duhet pasur kujdes akomodimi i nivelit politik dhe problemet tek shtojca e arsimit, shëndetësisë e policisë.
“Është e rëndësishme që parashikueshmëria e pagës, të mos rrezikohet në procesin e amandamentimit, çështje që asokohe është hequr gjatë dy leximeve, përkundër insistimit tim dhe qeverisë. Duke qenë se ky proces konsolidon themelet e pagesës për administratën shtetërore, por edhe mishërimit me këtë çështje, kemi gjithë përkushtimin për të kontribuar që ky ligj të dalë në dritë”, ka shkruar Tahiri.
Edhe
AAK-ja kërkon që koeficienti i pagave të bëhet 129 euro
Ai ka thënë se është e domosdoshme të rritet vlera e koeficientit, të komunikohet qartë procesi e të mos krijohen paqartësi, të nisen diskutime serioze mbi parimet që rregullojnë procesin, të reflektohen në tërësi problemet e identifikuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu të reflektohen pikëpamjet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Tahiri gjithashtu ka kërkuar që të diskutohet me opozitën për të informuar mbi procesin.