Kampanja “Ta Pastrojmë Kosovën”, përmes një njoftimi për media bën me dije se sot për të tretën herë është mbajtur aksion pastrimi në Kampusin Universitar “Hasan Prishtina”, nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina.
Aksioni i sotëm u realizua në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe profesorin Bylbyl Sokolin.
“Vullnetarë të Let’s Do It Kosova dhe studentët filluan nga ora 08:00 aksionin përreth hapësirave të Kampusit, por për dallim nga aksionet e kaluara kjo hapësirë nuk kishte nevojë për intervenime të mëdha, pasi ishte mirëmbajtur. Let’s Do It Kosova falënderon stafin dhe studentët e Universitetit të Prishtinës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për mirëmbajtjen e kësaj hapësire të frekuentuar nga studentët”, thuhet në njoftimin për media, përcjell Koha.net. “Andaj, i inkurajojmë që të vazhdojnë me mirëmbajtjen e kësaj hapësire, në mënyrë që të mos krijohet nevoja e organizimit të sërishëm të aksioneve të pastrimit”, ka thënë më tej.
Let’s Do It Kosova ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aksionet e pastrimit dhe aktivitete të tjera vetëdijesuese për rëndësinë e mirëmbajtjes së mjedisit.
Deri më tani në tërë Kosovën janë pastruar rreth 400 deponi ilegale të mbeturinave.
Javën që shkoi kanë filluar edhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor, që synojnë rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor, thuhet në fund të njoftimit.
-
Pastrohet kampusi i Universitetit të Prishtinës
-
Prishtina e Fushë Kosova pastrohen nga qindra vullnetarë
-
Pastrohet një deponi e madhe në Arbëri
-
“Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdon me aksione pastrimi dhe trajnimi të mësimdhënësve
-
Hiqen mbi 100 thasë mbeturina nga liqeni i Badovcit, shqetësuese mbetet hedhja e mbeturinave nga veturat