Arbëri

Szunyog: Kosova duhet të bëjë përpjeke më të qëndrueshme për hetime efektive

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se procesi i integrimit në BE është shumë i gjatë dhe i komplikuar dhe se ata që synojnë të integrohen duhet të bëjnë punë të madhe.

Szunyog në prezantimin e Barometrit të Reformave të BE-së, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, ka thënë se reformat duhet të bëhen për një gjyqësor të pavarur dhe duhet të ketë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kosova nuk është përjashtim. Kosova meriton një shërbim publik jo të politizuar. Në fushën e sundimit të ligjit Kosova duhet të shtojë numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ... Në luftën kundër korrupsionit, Kosova duhet të bëjë përpjekje më të qëndrueshme që të bëjë hetime më efektive”, ka theksuar Szunyog.

Ai ka thënë se Kosovës i nevojitet edhe diversifikimi i ekonomisë.

Ndërsa drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se integrimi evropian i Kosovës është uzurpuar nga procesi i dialogut me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë ka uzurpuar fushën e integrimit evropian. Ideja është që procesi i integrimit evropian në vetvete është proces teknik, pra si të bëhet një trajtim i ujërave të zeza në Prishtinë më efiçient, më efektiv ... ndonëse teknik me ndikim për qytetarët”, është shprehur Shasha.

Ai ka thënë se do të mundësojnë një monitorim sistematik të reformave evropiane.