Fletushkat e shpërndara të hënën në veri të Kosovës me udhëzime kundër rendit dhe sigurisë, sipas ish-kolonelit në Policinë e Kosovës, Rrahman Sylejmani, janë taktikë e re e grupeve kriminale serbe për destabilizim.
Sylejmani në emisionin “60 Minuta” ka theksuar se tani ato grupe kriminale kanë rekrutuar edhe njerëz të rinj që po u shërbejnë qëllimeve të tyre.
“Vetë përmbajtja e këtij pamfleti tregon në aspektin e sigurisë një ndërrim i taktikës së veprimit të grupeve kriminale, sepse tani këta pas një debakli që kanë pësuar në aksionin e vitit të kaluar në Banjskë dhe tentativës për ta destabilizuar Kosovës dhe pas një qetësie relative disamujore, por tregon se prapë kanë vënë në tavolinë planet e tyre që tash përmes veprimeve që ndoshta në shikim të parë nuk duken me rrezik, por tregon se vetëm përmbajtja jep udhëzime si të sulmohen policët, si të përdoren mjete shpërthyese. Ato nuk përdoren për t’i përqafuar policët...”, ka thënë ai.
Sylejmani ka thënë se në vend mund të ketë një tjetër situatë rreziku, pasi ka shtuar se, grupet po përpiqen të inskenojnë incident për ta provokuar reagimin e Policisë së Kosovës.
“Nuk ka përfunduar në Banjskë asgjë dhe mund të ndodhë të ballafaqohemi prapë me situata ndoshta jo të njëjtë, por tash me ndërrimin e taktikës së veprimit po shikojnë të shfrytëzojnë të gjitha situatat. Po përpiqen që nga pakënaqësitë e qytetarëve ta inskenojnë ndonjë incident. Nëse gjuhen me koktej që po jepen udhëzime si të krijohen, si të sulmohen policët, nga një incident i vogël mund të shkaktojë telashe të tjera. Këta po tentojnë të krijojnë pakënaqësi që ta provokojnë Policinë”, ka deklaruar tutje.
Sipas Sylejmanit, mosndëshkimi ndërkombëtar për Serbinë i ka trimëruar grupet kriminale për të vazhduar aktivitetet e tyre në Kosovë.
“Mosndëshkimi i Serbisë nga BE-ja dhe institucionet tjera i trimëron ata se kaloi Banjska pa ndonjë konsekuencë dhe tash mund të vazhdojmë dhe të organizojnë aktivitete të rrezikshme. Ata e kanë pretekst edhe dinarin”, ka shtuar ai.
Sylejmani ka potencuar se institucionet e Kosovës nuk kanë shans tjetër pos të reagojnë dhe të marrin masa kundër grupeve kriminale.
“Institucionet tona janë mbështetur për muri, ose duhet të veprojnë sepse nëse e lënë në gjysmë situatën me gjithë këto veprime që na kanë kushtuar, me humbjen e jetës së Afrim Bunjakut dhe lëndimit të policëve të tjerë, nëse tash ndalen vetëm sa do të kontribuojnë në rritjen e forcimin e këtyre grupeve kriminale”, ka përfunduar ai.