Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi që Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka arrestuar një person të nacioanlaitetit serb me inicialet Z.A., nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kamenicë.
Sveçla ka thënë se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojnë e as nuk i falin dhe se “drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme”.
“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrë pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka theksuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht.
“Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar Sveçla.
