Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Grupi i Unitetit do të ishte i rëndësishëm pa prezencën e Thaçit në të

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdimësi ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në vend krijimin e një Grupi të Unitetit për përfaqësim në bisedime me Serbinë.

Mirëpo, edhe sot deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka kundërshtuar idenë e Presidentit Thaçi, edhe pse sipas tij, është i rëndësishëm për të biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

Ai shtoi se në këtë Grup të Unitetit, është me rëndësi të mos jetë Presidenti Thaçi.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të bisedojmë për këtë proces, meqë është shumë i rëndësishëm, por po ashtu është e rëndësishme që në këtë grup mos të jetë Hashim Thaçi. Ne kemi një përvojë shumë të rënd në të kaluarën me të, me udhëheqjen e negociatave dhe me gjithë atë çfarë i ka sjellë vendit, sidomos dekadën e fundit. Unë kur përmenda përvojën e keqe që kemi me Thaçin, mendova në atë që ai është një person që assesi nuk mund t’i besojmë. Njeriu që po tenton ta kidnapojë këtë temë për të mirën e tij, me idenë e shtyrjes së arrestimit nga Gjykata Speciale nuk është për t’i besuar as për procesin e as për rezultatin final”, ka thënë Sveçla.

Ai për KosovaPress ka shtuar se çdo rezultat i kësi lloj bisedimeve me palën serbe, është i pa favorshëm për Kosovën.

“Rezultat mund të ketë por ky rezultat në bazë të përvojës do të jetë i tmerrshëm nëse ne lejojmë që Hashim Thaçi apo njerëzit rreth tij bëjnë çfarë donë me këtë proces, por edhe me Kosovën në përgjithësi. Në çfarë do grupi që Hashim Thaçi e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë”, theksoi Sveçla.

Edhe partitë tjera opozitare janë për arritjen e një konsensusi politik, por jo të jetë presidenti Hashim Thaçi drejtues i dialogut me Serbinë.

Artikuj të ngjashëm