Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka takuar të mërkurën ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë biseduar për nevojën për reforma në Policinë e Kosovës dhe administratën publike.
Në njoftimin e lëshuar nga ky dikaster, thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për prioritetet e Qeverisë dhe MPB-së për rëndësinë e sundimit të ligjit, prioritete këto “që kanë impakt të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e vendit”.
“Me këtë rast, ministri Sveçla e uroi ambasadorin Hovenier për emërimin si ambasador i SHBA-ve në Kosovë dhe shprehi përkushtimin e tij për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit në mes MPB-së dhe shtetit amerikan”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Më tej njoftohet se Sveçla falënderoi ambasadorin Hovenier për mbështetjen e vazhdueshme dhe vuri në dukje se SHBA-të janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës.
“Ai theksoi se është i përkushtuar që të punojë ngushtë me qëllim të forcimit të kapaciteteve të sundimit të ligjit në Kosovë, sidomos të agjencive të MPB-së, për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, për këtë takim janë deklaruar edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ku u tha se ambasadori Hovenier falënderoi Kosovën për pritjen e përkohshme të afganëve dhe njëherësh përsëriti mbështetjen e qëndrueshme të SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë.
Në njoftimin e Ambasadës në faqen zyrtare në Facebook, më tej u tha se u diskutua edhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit”.