Arbëri

Surroi: Çështja e Kishës Ortodokse nuk mund të jetë çështje e dialogut mes Kosovës e Serbisë

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se çështja e Kishës Ortodokse nuk mund të jetë çështja e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Surroi këtë e ka thënë në debatin “Si tutje me dialogun?”, i organizuar dje nga Projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, në kuadër të projektit “Forum 2015.

Ai ka dhënë dhjetë sugjerime se si të ecet para me dialogun.

“Çështja që është zvarritur prej kohësh e që duhet të marrë një përgjigje eksplicite, është çështja e kishës ortodokse serbe. Ajo nuk mund të jetë pjesë e negociatave mes shtetit të Kosovës e Serbisë. Të dy shtetet janë laike, shtetet laike nuk mund të negociojnë për komunitete religjioze”, ka thënë Surroi.

Surroi ka thënë se karakteristika e parë e procesit të kaluar të dialogut është pamjaftueshmëria.

“Është proces që nuk ka ndryshuar marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë, e nuk ka ndryshuar qasjen e ndërmjetësve, bazohet në idenë që nëpërmjet zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve më të vogla të arrihet në momentin kur duhet zgjidhur mosmarrëveshja më e madhe mes Kosovës e Serbisë. Nuk ekziston asnjë ndryshim strukturor e në permisë, që bën procesin të kalojë atë pragun e pamjaftueshmërisë, e kjo natyrisht se jo vetëm që i jep të drejtë por edhe obligim Qeverisë së ardhshme dhe pjesëve të shoqërisë që duan të ndihmojnë këtë proces që të bëjnë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të bëhet përparimi i këtij procesi, që të kalohet ai prag, natyrisht gjithnjë brenda këtij mandati që e ka BE si lehtësuese e procesit. Duhet marrë parasysh që në këtë fazë këto dhjetë vite kemi një konsistencë të Serbisë në deklarime për mosnjohjen e Kosovës, pra edhe këtë duhet të marrë si pjesë e këtij rivlerësimi”, tha Surroi.

Surroi ndër tjera ka shtuar se ka ndryshuar në këto dhjetë vjet në mënyrë dramatike edhe konteksti gjeopolitik në botë e Evropë. Rusia derisa para dhjetë vjetëve ishte përcaktuar brenda NATO-s si partnere strategjike e ardhshme, në analizën e fundit të NATO-s ka kaluar në rival sistematik.

“Përgjatë këtyre dhjetë vjetëve çështja e negociatave mes Kosovës e Serbisë i ka ndihmuar në mënyrë të rëndësishme Rusisë që të zhvillojë konfliktin e vet sistematik me Perëndimin, duke mos lejuar që nëpërmjet zgjidhjes së marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të arrihet shtrirje e integrimeve euroatlantikee. Dialogu për ne merr dimension edhe më të thellë sesa që ka deri më sot”, tha Surroi.

Ai ka përmendur edhe faktin se është me rëndësi që SHBA-ja të rikthehet në dialogun e Brukselit dhe është e nevojshme që të jetë në kuadër të një dimensioni të ri, që dialogu të prodhojë jo vetëm integrim evropian, por integrim euroatlantik.

Ndër tjera ka thënë ai ka thënë se përgjatë dhjetë vjetëve të negociatave është krijuar një shpërputhje juridike mes çështjeve të cilat i ka nënshkruar Kosova si shtet dhe sistemit tonë kushtetues juridik.

“Bashkësia e Komunave Serbe është rasti eklatant i një shpërtputhje të tillë, e është një shpërputhje të themi konceptualisht e dyfishtë. Është shpërputhje me sistemin tonë kushtetues jurdik, sepse krijon rrafshin e tretë të pushtetit, por ekziston edhe një asimetri në natyrën kontraktuale mes Kosovës e Serbisë. Kosova nënshkruan këtë marrëveshje si marrëveshjes ndërshtetërore, Serbia nuk e bënë këtë gjë. Implementimi i këtyre marrëveshjeve i këtillë çfarë është, është i pamundur brenda sistemit kushtetues juridik të Kosovës, prandaj insistimi që të bëhet implementimi e pastaj të vazhdojë dialogu nuk i bën mirë as sistemit kushtetues juridik e as dialogut si të tillë, prandaj është i pamundur”, ka thënë Surroi.

Surroi po ashtu ka thënë se është shumë e nevojshme që të kemi ballafaqim me të kaluarën.