Arbëri

Spitali më i ngarkuar me COVID-19 s’ka plazmë për trajtim të pacientëve

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës aktualisht janë të shtrirë 200 pacientë me Covid-19. Shumë prej tyre janë në gjendje të rëndë e të cilët kanë nevojë për mjekim me plazmë konvaleshente. Por për shkak të rënies së numrit të dhuruesve të gjakut, që kanë kaluar COVID-in, tash e dy ditë ka mungesë të kësaj plazme.

Mërgimtari nga Gjermania, Shefqet Gashi, i sëmurë me Covid-19, që nga mesi i muajit gusht është i shtrirë në Repartin e Pulmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Gjendja e tij kur ishte pranuar në spital ka qenë tepër e rëndë dhe për ta luftuar Covidin ai është mjekuar edhe me plazmë konvaleshente.

Mjekimi me këtë plazmë, siç thotë Gashi, e ka ndihmuar shumë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore.

“Plazmë e kam marr. Krejt me medicinë, krejt, shumë në rregull ka qenë. Jam i kënaqur. Vetëm edhe pak më duhet me u ajrosë, se mirë jam”, ka deklaruar ai.

Çdo ditë vetëm në këtë repart, siç tregon pulmologu Fahri Hasani, deri në pesë pacientë marrin një ose dy doza të plazmës konvaleshente.

Në mungesën e plazmës për pacientë me Covid-19 ka ndikuar rënia e numrit të dhuruesve të gjakut që kanë kaluar sëmundjen e Covidit. Dhe kjo rënie, siç thonë në Qendrën për Transfuzion të Gjakut në Spitalin e Pejës, ka nisur nga muaji i kaluar, kur ka nisur rritja e jashtëzakonshme e numrit të të infektuarve me Covid-19.

“Gjendja momentale në njësinë tonë nuk mund të them që është e mirë, për arsye se me rritjen e numrit të pacientëve, janë rrit kërkesat sidomos për plazmën kovaleshente”, ka deklaruar Rrezarta Dresha-Berisha, shefe e kësaj qendree.

Aktualisht në Spitalin e Pejës janë të shtrirë 200 pacientë me Covid-19 dhe shumë prej tyre kanë nevojë për mjekim me plazmë konvaleshente. Shifra prej 200 pacientësh është më e larta në spitalet rajonale në Kosovë. Peja është larg me numrin më të madh të pacientëve me COVID-19. Pas këtij spitali vjen ai i Prizrenit ku po trajtohen 151 pacientë, e ai i Gjilanit me 100 pacientë.

Në këtë spital apelojnë te qytetarët e shëruar nga Covid-19, të cilët kanë krijuar antitrupa, të dhurojnë gjak për të ndihmuar pacientët e sëmurë.