Arbëri

Specialja i pranon dokumentet e SHIK-ut si prova kundër Thaçit dhe të tjerëve

Hashim Thaçi

Gjykata Speciale e pranoi një dokument të sekuestruar nga UNMIK-u në selinë e SHIK-ut, si provë në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Atë e kundërshtoi mbrojtja, por kryetari i trupit gjykues tha se dokumenti është i besueshëm dhe se në të ndodhen emrat e disa personave, që konsideroheshin bashkëpunëtorë të Serbisë në rajonin e Podujevës.

Është zgjeruar lista e viktimave të pretenduara në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që akuzohen për krime lufte.

Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në seancën e së martës gjykata e pranoi si provë një listë me emrat e disa personave, që konsideroheshin bashkëpunëtorë të Serbisë nga rajoni i Podujevës.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se dokumenti është sekuestruar në selinë e SHIK-ut nga policia e UNIMIK-ut.

“Dokumenti i propozuar është relevant dhe i qartë lidhur me arsyet që kanë çuar në ndalimin e individëve të caktuar të renditur në dokumentin në fjalë dhe që pretendohen që të jenë viktima të krimeve në çështjen gjyqësore në fjalë. Trupi gjykues është i bindur se dokumenti është autentik dhe provues dhe duket që është faqja e parë e një dokumenti të Policisë Ndërkombëtare të UNMIK-ut, të sekuestruar nga selia e SHIK-ut”, tha Smith.

Gjyqtari Smith përmendi edhe një argument shtesë për pranueshmërinë e provës.

“Trupi gjykues vëren më tej se ka dëgjuar prova që kanë të bëjnë me katër persona, të cilët renditen në listën e dokumentit në fjalë që mbështet deri në njëfarë mënyre përmbajtjen dhe besueshmërinë e këtij dokumenti”, tha Smith.

Kryetari i trupit gjykues tregoi se mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar pranimin si provë të dokumentit të sekuestruar në selinë e SHIK-ut.

“Mbrojta kundërshton pranimin e këtij dokumenti me arsyetimin se nuk ka themel”, tha Smith.

Lista me emra u pranua në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjatë së cilës e vazhdoi dëshminë dëshmitari i tetë, i cili foli për “Gardën Kombëtare”, pjesë e së cilës tha se ishte edhe vetë. Pjesa më e madhe e dëshmisë u dha në seancë të mbyllur.

Të hënën ai dëshmoi për qendrën e ndalimit në Bajgorë, në të cilën, sipas aktakuzës, u ndaluan 16 viktima.