Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Me vetëm një miratim nga katër pika të rendit të ditës, Kuvendi ka mbyllur seancën e jashtëzakonshme të shtunën.

Kuvendi të shtunën nuk arriti që në procedurë të përshpejtuar të shqyrtojë rishikimin e Buxhetit. Dështuan edhe përpjekjet që me procedurë të përshpejtuar të bëhet shqyrtimi i dytë i projektligjit për Byronë e konfiskimit, por edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, si dhe ai për energjinë elektrike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkaq i vetmi “sukses” ishte miratimi në parim i projektligjit për Energjinë. Ndërkaq te ky projektligj dështoi mocioni që shqyrtimi i dytë të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

 

 

 

Dështon rishikimi i buxhetit “me nguti”

1 muaj më parë / 25 pri 2026 12:54
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar propozimi i Vetëvendosjes për shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026.

Mocioni mori 57 vota për, 48 ishin kundër.

Para votimit pati debat mes pushtetit dhe partive opozitare. Pushteti dhe Qeveria thanë se rishikimi parasheh pakon mbështetëse për qytetarët. Opozita kundërshtoi procedurat e ngutura.

Pushteti e opozita përplasen për “ngutinë” për rishikimin e buxhetit

1 muaj më parë / 25 pri 2026 12:42 Nga: Marigona Brahimi
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Partia në pushtet dhe partitë opozitare janë përplasur të shtunën në seancën e jashtëzakonshme për kërkesën e Vetëvendosjes për rishikim të Ligjit për Buxhetin 2026.

Fillimisht Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së, propozoi shmangien nga afatet procedurale duke e cilësuar ligjin si tejet të nevojshëm.

E çështja u kritikua menjëherë nga opozitarët. Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, tha se kjo është shenjë që Qeveria po ndërmerr veprime që e çojnë shtetin drejt zgjedhjeve.

“Nuk ka pasur asnjë qëllim apo veprim serioz në mirëbesim qe vendit ti japë stabilitet funksional. Ky nuk është rishikim... Asnjëherë diçka të tillë s’kam parë as mos pafsha. Më këtë po thuhet jepnani mundësinë që në mënyrë abuzive ta bëjmë keqpërdorimin e parasë publike. Me thjeshtësu, ta blejmë votën”, ka thënë ai duke treguar se PDK-ja nuk e mbështet.

Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike ka thënë se për shkak të “mospërcjelljes së procedurave, LDK-ja do të votojë kundër”. Ndërkaq deputeti tjetër i këtij subjekti, Avdullah Hoti, ka thënë se bëhet fjalë për “abuzim me paranë publike”.

E krim institucional e ka cilësuar rishikimin në këtë mënyrë, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së. Ai ka thënë se bëhet fjalë për “eksperiment serioz me shtetin”.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se rishikimi e prek vetëm Ministrinë e Financave dhe se aty përfshihet pakoja mbështetëse për qytetarët.

“Nëse mendoni se duhet të mbështeten qytetarët në këtë situatë të rënduar nga lufta në Gjirin Persik atëherë duhet ta mbështetni këtë pako që tu dalim në ndihmë qytetarëve”, ka thënë ai.

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme, në rend dite ndryshimi i Buxhetit dhe Byroja

1 muaj më parë / 25 pri 2026 08:06
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Me fillim prej orës 12:00, Kuvendi do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me pesë pika të rendit të ditës.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, ndër këto pika janë ndryshimi i Ligjit për Buxhetin dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme. Ligji për Byronë procedohet me shmangie nga afatet.

Një ditë më parë, marrëveshja për Bordin e Paqes ishte pika e vetme me të cilën opozita u pajtua që me shpejtësi të futet në rend dite. Ndërkaq dështoi përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje që me këtë nguti, duke iu shmangur afateve procedurale, ta vendosë për trajtim në këtë seancë projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe dy projektligje tjera, atë për energjinë dhe për energjinë elektrike. Të tria këto janë sot në rend dite.

Partitë opozitare dolën kundër shqyrtimit të projektligjeve me procedura të përshpejtuara, sidomos atë për Byronë, e për të cilën thanë se ende nuk ka kaluar në lexim të dytë as në komision.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë këtë praktikë, ligjet nuk janë pronë e qeverisë, Kuvendi nuk është zyrë e fushatës së Albin Kurtit dhe qytetarët nuk meritojnë qe vendime të rëndësishme për shtetin të kalohen me nguti, me fshehtësi dhe të kalohen e të shfrytëzohen për kalkulime elektorale”, ka thënë Blerta Deliu, deputete e PDK-së.


Rendi i ditës: 

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,

5. Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.