Arbëri

S’kanë ujë që nga paslufta, por Ujësjellësi ua dërgon faturat banorëve të Sfaraçakut

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica qe dy muaj u ka dërguar fatura fshatit Sfaraçak i Ulët dhe atij të Epërm, ndonëse këto fshatra që nga paslufta përballen me mungesë të ujit.

Në mungesë të ujit, Amir Istrefit pothuajse çdo ditë i duhet të shkojë në qytetin e Vushtrrisë për t’i mbushur rezervuaret për ujë, raporton KTV.

Istrefi thotë që nuk e di se si kjo kompani ka faturuar ujin, kur ka mungesë të tij në këtë fshat, andaj ata kanë shkuar në Komunë dhe atje i kanë lënë faturat.

Banorët thonë se secili kryetar që ka ardhur në pushtet, u ka premtuar zgjidhje të këtij problemi, mirëpo deri tash asgjë nuk është bërë për këtë.

E, në Komunën e Vushtrrisë thonë se shumë shpejt do të fillojnë me projektin për kyçjen e të gjitha fshatrave në ujësjellës, projekt i cili kap shumën e 1 milion eurove.

Kompania e Ujësjellësit Mitrovica nuk është përgjigjur në interesimin e televizionit për këtë çështje.