Arbëri

“S’ka rrezikim të sovranitetit të Kosovës nga SHBA-ja”

Në emisionin Rubikon të KTV-së sonte është debatuar rreth taksës dhe dialogut me Serbinë. Të ftuar ishin Arian Zeka - Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Besnik Vasolli, njohës i integrimeve evropiane, Ernest Luma dhe Rrahman Paçarizi, të dy opinionistë.

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, tha se kryeministri Albin Kurti është ngutur kur e ka proklamuar reciprocitetin me Serbinë, pasi sipas tij, masat e reciprocitetit është dashur të bëhen hap pas hapi.

“Mendoj që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë një gabim në hapa kur e ka proklamuar reciprocitetin. Reciprociteti duhet të bëhet hap pas hapi dhe jo të shpallet. Unë mendoj që nuk duhet të shpallet reciprocitet, duhet të hiqet taksa sepse ky është parakusht për marrëveshje me Serbinë dhe mund të merren vendime pa u proklamuar për çështje të caktuara. Serbia nuk t’i njeh targat, ti ia kërkon targat, Serbia nuk t’i njeh dokumentet, ti ia kërkon dokumentet - pra një qasje hap pas hapi”, thotë Paçarizi.

Nëse ka një “honest broker” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tha për Rubikon të KTV-së, njohësi i çështjeve të BE-së, Besnik Vasolli.

Ai tha se nuk do të ketë ndonjë rrezikim të sovranitetit apo pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

“Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë pak të lodhura me energjinë që i është dedikuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa konflikti mes këtyre dy shteteve është i ngrirë, i tërë rajoni është i cenueshëm nga ndërhyrjet tjera, qoftë ato nga Rusia apo nga Kina. Unë e kam ndjenjën që SHBA-ja dëshiron t’i japë fund këtij ndikim dhe ai fund jepet nëse ka marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë dhe hapet më shumë perspektivë për integrim në BE”, tha Vasolli.

Tutje, ai tha se mendon që nëse ka “honest broker” për marrëveshjen Kosovë-Serbi, atëherë ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dhe unë nuk i shoh marrëveshjet si imponim por më shumë si nevojë ose si një lloj insistimi që të zgjidhen këto probleme. Ne nuk i kemi detajet e marrëveshjeve, nuk e dimë saktësisht se çka thuhet por unë nuk pres që të ketë ndonjë rrezikim të sovranitetit dhe pavarësisë nga SHBA-ja”, tha Vasolli.

Opinionisti Ernest Luma tha se njëra duhet të shkojë - ose taksa ose qeveria.

“Unë konsideroj që në këtë drejtim kanë shkuar gjërat, serioziteti, tempoja dhe intensiteti me të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke u marrë me këtë çështje më bëjnë të besoj se kjo do të jetë situata”, tha Luma.

Tutje, ai tha se administrata e SHBA-së dhe presidenti Trump janë të interesuar ta përmbyllin çështjen Kosovë-Serbi sa më shpejt dhe me sukses.

“Mendoj që edhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump është e interesuar ta përmbyllë shpejt dhe me sukses këtë çështje, t’i japë fund një maratone. Mendoj që tash po e tregojnë dorën e tyre dhe vendosmërinë që t’i jepet fund brenda këtij viti kësaj çështjeje dhe të përmbyllet dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe në të njëjtën kohë të vendoset edhe normalizimi i raporteve”.

“Përkushtimi dhe intensiteti me të cilin kanë filluar këtë vit të gjitha qarqet dhe miqtë ndërkombëtarë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë tregon kapitullin apo finalen, kreun e fundit të kësaj proze apo këtij romani”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha për Rubikon të KTV-së se vendimi për taksën ndaj Serbisë ka qenë politik, prandaj edhe efektet duhet të maten nga ky aspekt. Ai tha se tarifa dhe barrierat tjera jotarifore duhet të eliminohen dhe se çështja e rëndësishme aktualisht janë masat e reciprocitetit.

“Oda Ekonomike Amerikane është kundër çdo barriere tarifore, po flas për vendimin e qeverisë për vendosjen e tarifës ndaj dy shteteve të Ballkanit Perëndimor. Duhet rikujtuar që sfondi i marrjes së një vendimi të tillë ka qenë politik dhe çfarëdo matje e rezultateve duhet të bëhet sërish nga këndvështrimi politik. Pra, nëse tarifa ka qenë kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Serbisë kundër Kosovës, atëherë edhe matjet duhet të bëhen nga ky këndvështrim. Nga aspekti ekonomik mendoj që Kosova dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të eliminojnë çfarëdo barriere tarifore të cilën ato ia vendosin njëra-tjetrës”, u shpreh Zeka.

Zeka më tej tha se nëse Serbia është vendi që i vë më së shumti barriera ekonomike Kosovës, i dyti në radhë është Shqipëria, ndërsa shtroi pyetjen nëse duhet t’i vendosë edhe Kosovës barriera Shqipërisë.

“Më së shumti barriera në tregti, gati 50 për qind e barrierave vijnë prej Serbisë, por i dyti menjëherë është shteti i Shqipërisë me 25 për qind të këtyre barrierave të cilat ua imponon prodhuesve vendorë të Kosovës. Pyetja është, a duhet të vendosim edhe ne barriera ndaj Shqipërisë? Nëse e shohim kush ka përfituar më së shumti prej vendosjes së tarifës, e shohim që ka pasur një rritje prej 10 për qind të eksporteve nga Shqipëria, e ne realisht thuajse nuk kemi përfituar aspak karshi Shqipërisë sepse eksportet tona atje kanë shënuar rënie”, tha Zeka.