Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se s’ka përparim në bisedimet me Serbinë. Ai ka thënë se Serbia nuk është distancuar nga ish-kryetari i saj, Sllobodan Millosheviq, e as nga Vladimir Putini i Rusisë.
Të mërkurën, Kurti u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin të Gjermanisë në një darkë jozyrtare, të organizuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Takimit i paraprinë takimet e ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Kurti ka thënë se takimi me Vuçiqin ishte përgatitje për takimin e javës së ardhshme, më 13 maj, në nivel kryenegociatorësh.
“Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë Kurti për televizionin publik duke shtuar se Kosova është në të drejtën e saj dhe se “tashmë edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të kemi zgjidhje e marrëveshje”.
Kurti ka deklaruar se qëndrimet e Serbisë janë të vjetra dhe se kjo është arsyeja pse s’ka marrëveshje të re, që sipas tij i nevojitet jo vetëm raporteve mes Kosovës e Serbisë, por edhe Ballkanit e Bashkimit Evropian.
Varësisht se si shkon takimi i 13 majit, mund të ketë takim të ri në nivel liderësh, ka paralajmëruar ai.
-
Kurti pret që në takimin me Vuçiqin të shprehen ide se si të ecet përpara me dialogun
-
Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq
-
Vuçiq: S’ka fort mundësi të bisedohet me Kurtin, menjëherë flet për Millosheviqin
-
Vuçiqi pranon takimin në fund të gushtit: S’pres asgjë nga Kurti
-
Kurti: Jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj për në Bruksel për takim me Vuçiqin