Pesë persona kanë vdekur nga koronavirusi në Kosovë, ndërsa në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 596 raste të reja me të infektuar, nga 1 mijë e 559 testime.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën të ditur se 136 persona janë shëruar për këtë 24-orësh, duke e çuar totalin e të shëruarve në 16 mijë e 362 persona, raporton KOHA.
Krahas rritjes së numrit të të infektuarve është rritur edhe numri i të hospitalizuarve, gjë që e ka vështirësuar edhe punën e anesteziologëve.
Megjithëse janë vetëm 59 anesteziologë për krejt sistemin shëndetësor, ata punojnë me staf të reduktuar, meqë 12 prej tyre janë me COVID, ndërsa 6 të tjerë janë liruar nga kujdestaritë, shkaku i moshës dhe problemeve shëndetësore.
Anesteziologia Agreta Gashi ka treguar se megjithëse mundohen t’u dalin të gjithëve në ndihmë, pandemia i ka vështirësuar gjërat.
“Gjatë pandemisë kemi kujdestaruar shumë shpesh përveç punës së zakonshme që është 8 orë, kemi kujdestaruar edhe 24 orë diku, çdo të tretën apo të katërtën ditë. Presim që me shtimin e numrit të pacientëve prapë kemi me qenë më shumë të angazhuar. Tash jemi në shtatë njësi që kujdestarojmë dhe me mungesën e 12 kolegëve, vëllimi i punës do të jetë edhe më i madh”, ka thënë Gashi.
Gashi ka paralajmëruar se mund të ketë fluks më të madh të të hospitalizuarve, pasi çdo ditë ka numër të madh të të infektuarve në Kosovë.
Gjatë së martës, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, e ka konfirmuar se ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ai i ka falënderuar punonjësit shëndetësorë që, siç ka thënë, po japin maksimumin duke mos kursyer as shëndetin e tyre që t’u gjenden pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër lideri i VV-së, Albin Kurti është shëruar nga koronavirusi.
Sipas zëdhënësit të VV-së, Përparim Kryeziu, të hënën janë bërë dy javë nga simptomat kryesore. Ai ka bërë të ditur se Kurti është i shëruar plotësisht dhe u është kthyer angazhimeve të tij.