Nga sot sistemi i prokurimit publik në platformën plotësisht elektronike do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshirë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike, që ka për qëllim shpenzimet e parasë publike në mënyrë më të drejtë.
Isuf Zejna, menaxher i programit Demokracia Plus( D+), OJQ kjo e cila mbikëqyrë sistemin e prokurimit publik, ka thënë për KosovaPress se nga 1 janari 2018 pritet që prokurimi të jetë plotësisht elektronik, gjë e cila do t’i jepte fund problemeve që janë shkaktuar në vlerësimin e tenderëve deri më tani.
Sipas tij, kjo platformë e prokurimit elektronik është donacion i Bankës Botërore për Qeverinë e Kosovës dhe ka kushtuar rreth gjysmë milioni euro.
“Prej 1 janarit është ‘full’ elektronik. Deri tash ka qenë i kombinuar. Dallimi i prokurimit elektronik me atë të kombinuar qëndron në faktin se tani më ofertat e operatorëve nuk mund të dorëzohen në letër, por vetëm përmes platformës e cila është e enkriptuar dhe tani më nuk ka mundësi që të ketë parregullsi me ndërrimin e dokumenteve siç ka pasur në të kaluarën, apo në ndryshimin e çmimeve”, ka thënë Zejna për KosovaPress.
Ai ka shtuar se kjo platformë do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshirë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike.
Edhe Krejt mendtë n’GjermaniPër platformën e prokurimit elektronik, e cila pritet të jetë obligative që nga 1 janari, kryetari i KRPP-së Safet Hoxha ka thënë për KosovaPress se kjo është një e arritur mjaft e madhe, për të cilën platformë janë trajnuar zyrtarë të prokurimit publik me ndihmën e projektit Team të USAID-it.
Ai pret që me anë të këtij sistemi të jetë edhe më transparent prokurimi publik, për t’i eliminuar dyshimet për keqpërdorim të parasë publike.