Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sipas historianit Buxhovi, shteti i Kosovës e ka ditëlindjen më 7 Shtator

Historiani, Jusuf Buxhovi, me rastin e promovimit të vëllimeve të librit “Kosova”, në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit, tha se si ditëlindje e shtetit të Kosovës duhet të merret 7 Shtatori i vitit 1990, kur në Kaçanik u shpall Kushtetuta e Kosovës.

“Shteti i Kosovës është shpallur më 7 shtator me Kushtetutën e Kaçanikut dhe me referendum. Ky është fakt historik dhe doktorantët këtë e kanë anuluar për arsye politike. Por shteti i Kosovës ditëlindjen e tij e ka më 7 Shtator. 2 Korriku e ka shkëputur prej Federatës Jugosllave, por këto fakte duhet të trajtohen historikisht dhe jo të interpretohen pavarësia dhe gjithë ai proces me gjoja me meritat e individëve, të cilët objektivisht Kosovën e kanë pru në gjendje jo të mirë sot e gjithë ditën”, e citon KP Buxhovin.

Në emër të shtëpive botuese, redaktori i librit dhe shkrimtari Nazmi Rrahmani tha se autori duke kaluar nëpër periudha përkatëse kombëtare, dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet jep një pasqyrë të qartë për shumë momente të rëndësishme historike, me theks të veçantë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pas 5 vëllimeve të para që përfshijnë antikën, mesjetën, Perandorinë Osmane dhe periudhën 45 dhe 45-1999, vijnë këto tri vëllime të reja që përfshijnë në librin e gjashtë ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1991 dhe 99-2001. Dhe në librin e shtatë rreshtohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë në periudhën 2002-2003. Në vëllimin e tetë janë përfshirë të gjitha dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi”, u shpreh ai.

Rektori i Kolegjit AAB, Lulëzim Tafa vlerësoi lart veprën "Kosova", ndërsa për autorin Jusuf Buxhovi tha se është i veçantë për opusin e tij të shumëllojshëm të krijimtarisë intelektuale.