Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në intervistën dhënë të përditshmes së Beogradit, “Blic”, ka thënë se “po të mos ishte Marrëveshja e Brukselit, Kosovën kaherë do ta kishim humbur”.
Po ashtu është shprehur se “Pacolli mund të sjellë në Prishtinë kë të dojë, por ai nuk mund të demantojë faktin se deri më tash 13 anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës”, transmeton Koha.net.
I pyetur në fillim të kësaj interviste për rëndësinë e takimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me presidentin kinez Xi Jinping, dhe atë rus, Vlladimir Putin, ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, i ka cilësuar Kinën e Rusinë si mbështetëset kryesore të politikës serbe në lidhje me Kosovën.
“Pa Kinën e Rusinë dhe pozicionin e tyre të fortë në skenën ndërkombëtare, Serbia që moti do të kishte mbetur pa asnjë të drejtë ndaj Kosovës e Metohisë dhe pa asnjë gjasë që të luftojë për interesat e veta vitale”, ka thënë ai.
Pyetjes se “a është Serbia më afër zgjidhjes së marrëdhënieve me Kosovën” pas samitit të Berlinit, Daçiqi i është përgjigjur: “E vetmja gjë e sigurt është se Aleksandar Vuçiqi ishte i ballafaquar me presione të mëdha. Prishtina është fajtori ekskluziv për ndërprerjen e dialogut, taksat e tyre, paralajmërimi i formimit”, siç është shprehur ai, “të njëfarë ushtrie, refuzimi i tashëm që të verifikojë kandidaturat e përfaqësuesve serbë për zgjedhje, që të gjitha janë mina të vendosura nën tavolinën e bisedimeve. Ne nuk mund të vazhdojmë dialogun pa i hequr ato mina...”
Se pse nuk po flitet më për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Daçiqi ka thënë se “kjo është kërkesa jonë më e rëndësishme strategjike në kuadër të dialogut, nga e cila asnjëherë nuk kemi hequr dorë... dhe deri sa të mos vihet në jetë në terren, nuk mund të konsiderojmë se kemi çfarëdo marrëveshje as zgjidhje”.
Duke pasur parasysh zhvillimet e deritashme, çfarë mendoni në lidhje me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit? A ishte ky gabim apo jo, ishte një pyetje e “Blicit”, e të cilës ai iu përgjigj:
“Me Marrëveshjen e Brukselit Serbia u rikthye në lojë kur është fjala për Kosovën e Metohinë. Po të mos ishte ajo, kaherë do të mund të ishim përshëndetur me Kosovën. Të gjithë ata që konsiderojnë se ky ishte një gabim, ose që e relativizojnë përpjekjen përmes të cilës arritëm Marrëveshjen e Brukselit, vetëm le të kthehen në periudhën para saj dhe le të thonë sa do të mund të ndikonim në çështjen e Kosovës, dhe sa mundemi sot. Kosova në kohën e Tadiqit e Jeremiqit ishte tregim i mbyllur, ndërsa Serbia me vite dritë larg nga çfarëdo shansi që të ndikojë në të. Sot pa Serbinë jo vetëm që nuk ka zgjidhje për Kosovën, por as nuk mund të ketë asnjë takim në këtë temë pa pjesëmarrjen dhe pa u pyetur për të Serbia. Marrëveshja e Brukselit nuk është ideale, ajo as që është zbatuar ashtu si duhet meqë nuk e kemi Asociacionin, por me pranimin e saj, Serbia është kthyer nga humnera në tavolinën ku vendoset për Kosovën, dhe kjo nuk ka qenë as e lehtë, as e thjeshtë”.
Në lidhje me pohimet e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, se do t'i sjellë në Prishtinë shefat e Jashtëm të shteteve që sipas Serbisë kanë tërhequr njohjet, që do të demantojnë ato pohime, Daçiqi ka thënë se “Pacolli e ka shumë problem se si t’ua shpjegojë të vetëve faktin se punën e tij po e kryen në mënyrë katastrofale. Në Prishtinë dhe jo vetëm në Prishtinë janë në gjendje shoku sa herë që marrin konfirmim se ndonjë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara ka tërhequr njohjen për Kosovën dhe kjo ka ndodhur, tashmë 13 herë. Ai mund të sjellë në Prishtinë këndo që dëshiron, por kjo nuk mund të demantojë faktin se 13 anëtare të OKB-së deri më tash kanë tërhequr vendimet e mëhershme për njohjen e Kosovës, këtë e kemi ne të bardhën në të zezë”, transmeton Koha.net përgjigjen e Daçiqit dhënë “Blicit” të Beogradit.