Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sipas Daçiqit Kosova nuk do të jetë temë e bisedimeve Trump - Putin

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Kosova nuk do të jetë temë e bisedimeve në mes të Trumpit e Putinit që do të mbahet më 16 korrik, në Helsinki.

“Mendoj se kjo çështje nuk do të arrijë deri aty sa të bisedohet për Kosovën, sepse ka shumë çështje tjera që duhen diskutuar, por ajo që është e përcaktuar është se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë duhet të shkojnë drejtë përmirësimit e jo drejtë ashpërsimit”, deklaroi Daçiq, njoftojnë mediet serbe.

Më tej ai shtoi se ky takim është vetëm fillimi i bisedimeve dhe nuk duhet pritur që në takimin e parë të arrihen rezultate spektakulare.

Daçiq shtoi se “janë të pasakta njoftimet e medieve se në kuadër të këtij takimi, Putin do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Trumpi Krimenë si pjesë të territorit rus, transmeton televizioni publik.

“Ato janë tregime të rrejshme, por që Serbia, gjithsesi duhet marrë në konsideratë çdo pëshpëritje pavarësisht se nga vijnë ato, që të përcaktojmë se çfarë mund të ndodhë në rrethet ndërkombëtare e që kjo do të thotë se duhet vazhduar me politikën e dialogut me fqinjët e rrjedhimisht edhe me Prishtinën zyrtare”, deklaroi Daçiq.

Duke folur për mundësinë e vizitës së Trump-it Serbinë, Daçiq shtoi se kjo varet nga rrethanat dhe faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë, por që është I sigurt se gjatë mandatit të tij qeverisës Trump do ta vizitojë Beogradin.