Votimi kundër pranimit të Kosovës në Interpol “shmangu pasoja të rënda” shkruan sot gazeta e Beogradit, “V.Novosti”, e njohur për qëndrimet e saj nacionaliste dhe antishqiptare, rikujton Koha.net.
“Informatat e Sigurimit në Beograd para vendimit përfundimtar në Dubai konfirmonin parashikimet se shqiptarët dëshirojnë anëtarësimin që ta shfrytëzonin për ngritje padish kundër serbëve pjesëmarrës në luftën e vitit 1999. E gjithë kjo për të rritur tensionet dhe për provokim trazirash në kuadër të qëllimeve të Prishtinës për të siguruar pozicion më të fortë ndërkombëtar në negociatat me Beogradin, por edhe për të penguar çfarëdo mundësie për kthimin e serbëve të ikur”, shkruan kjo gazetë.
“Në valën e luftës diplomatike për pengimin e pranimit të” siç e quan Beogradi zyrtar Republikën e Kosovës, “të ashtuquajturit shtet i Kosovës në Interpol, spekulohej se madje 5.000 serbë do të mund të gjendeshin në listën të cilën Prishtina do t’ia dorëzonte kësaj organizate. Me pranimin eventual, Prishtina do të eliminonte administratën e UNMIK-ut, përmes të cilës deri tash bëhej komunikimi me Interpolin, që sadokudo ishte njëfarë filtri në selektimin e kërkesave. Në fletarreste do të gjendeshin luftëtarët e dikurshëm, pjesëtarët e policisë, por edhe civilët të cilët më 1999 kanë qenë në Kosovë”, vazhdon “Novosti”.
Për të mbështetur këto pohime, gazeta përmend dorëzimin në Prokurorinë Speciale të kallëzimeve me 61 dosje për krimet serbe të kryera në Gjakovë pak ditë para seancës së Asamblesë së përgjithshme të Interpolit në Dubai, rikujton Koha.net.
“Refuzimi i Prishtinës shmangu rrezikun që baza e të dhënave të Interpolit të bie në duart e personave të cilët edhe vetë janë me fletarreste për shkak të veprave më të rënda penale. Në këtë rreth bën pjesë thuaja i tërë kreu shtetëror i Kosovës. Përveç krimeve të luftës, në ndërgjegjen e tyre janë edhe një varg shkeljesh të tjera të rënda – tregtia me organet njerëzore, kontrabanda me narkotikë, tregtia me mallra akcize... Sipas kërkesës së Serbisë aktualisht me fletarreste në Interpol janë së paku 18 emra shqiptarësh nga Kosova. Jo zyrtarisht në këtë listë janë: Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, por edhe Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Azem Syla, Agim Çeku, Shukri Buja, Lirim Jakupi...”, shkruan sot “Novosti” i Beogradit (në foto, ushtria serbe në qershor të vitit 1999 largohet nga Kosova pas krimeve monstruoze të kryera ndër vite ndaj shqiptarëve).
-
BBC: Pa Kosovën në Interpol, siguria në Ballkan s’do të jetë stabile
-
Serbia druan se Kosova në Interpol do të kërkojë arrestimin e kriminelëve të saj të luftës
-
Kosova tërheq kërkesën për anëtarësim në Interpol
-
Thellohen mëdyshjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL
-
Serbia vazhdon lobimin kundër pranimit të Kosovës në Interpol