Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, tha se në Kosovë duhet të rritet paga minimale, pasi ajo tani është shumë e ulët.
“Ne në vitin 2011 qemë dakorduar për pagën minimale. Ajo pagë është caktuar përmes katër shtyllave, që të jetë 220 euro. Por kërkesa jonë ka hasur në vesh të shurdhër”, i tha ai sot televizionit publik.
Sipas tij, ka pasur diskriminim në caktimin e pagës minimale, pasi që ka pasur kategorizim tek mosha. “Ne u dakorduam me qeverinë, por më vonë qeveria vendosi siç deshi vetë. Ne si Këshill Ekonomiko-Social jemi të mendimi që kjo pagë të rritet”, tha ai.
Sipas tij kjo pagë duhet të rritet në bazë të pagës mesatare në Kosovë. “Ne jemi në diskutim edhe me bizneset dhe Odën Ekonomike të Kosovës. Pra OEK ka kërkuar që ajo të jetë sa 60 për qind e pagës në Kosovë. Pra të jetë 220 deri në 230, por ne kemi kërkuar të jetë 250” euro”, tha ai.