Sindikata e Punëtorëve të AAC-së ka alarmuar se anëtarëve të saj po u refuzohen e zvarriten trajnimet. Madje, siç pohon kjo sindikatë, ato po u jepen zyrtarëve që trajnimet s’u hyjnë në punë pasi ato i kanë kryer më herët. Një trajnim për teknikat e auditimit i është mundësuar zyrtares administrative të zyrës së drejtorit dhe zëvendësuesit të drejtorit
Gjashtë herë i është refuzuar një punëtori të Autoritetit të Aviacionit Civil një trajnim për auditimin rregullator nga udhëheqja e këtij institucioni, sipas Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së.
G.B., sipas kësaj sindikate, e ka në shqyrtim kërkesën e shtatë për trajnim.
Në bazë të emaileve që i ka parë KOHA, në vend të punëtorit dhe shefes së departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar që kishin kërkuar këtë trajnim nga viti i kaluar, drejtori i këtij institucioni ka vendosur që trajnimin ta ndjekin zëvendësuesi i tij dhe një zyrtare administrative që punon në zyrën e tij.
Siç pohojnë në këtë sindikatë, zëvendësuesi i drejtorit ka kryer këtë trajnim më herët, ndërsa punët e zyrtares nuk lidhen fare me mësimet profesionale që përfitohen aty.
Për këtë arsye Sindikata e AAC-së e ka akuzuar hierarkinë udhëheqëse të institucionit për diskriminim dhe ofrim të trajnimeve atyre që s’u hyjnë fare në punë.
“Zyrtarja ekzekutive e D.P. është caktuar nga D.P. që të ndjekë trajnimin ‘Teknikat e Auditimit rregullator’ edhe pse ky trajnim është i dedikuar për stafin profesionist të aviacionit që përgatiten të bëjnë mbikëqyrjen e sigurisë apo atë ekonomike në mënyrë vetjake dhe të marrin kredencialet e inspektorit. Në të njëjtën kohë, D.P. ua ka refuzuar këtë trajnim të njëjtë dy anëtarëve të SPAAC-ut, të cilët janë staf profesionist i aviacionit dhe ky trajnim është i domosdoshëm për t’i kryer me kompetencë detyrat në fushën e mbikëqyrjes”, thuhet në ankesën e Sindikatës së Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Sipas tyre, pjesëmarrja i është konfirmuar anëtarit të SPAAC-ut tek në ditën kur do të mbahej trajnimi, por pa e lënë të merrte pjesë si pjesëmarrës i barabartë me të tjerët.
“Në ditën kur është mbajtur trajnimi ‘online’, më 11 gusht 2021, drejtori i përgjithshëm i ka dërguar email zyrtarit të cilit ia ka refuzuar trajnimin duke i thënë që trajnimi sapo ka filluar dhe që zyrtari mund të shkojë ta ndjekë trajnimin si vëzhgues, por kjo nuk do të konfirmonte kompetencën e zyrtarit siç kërkohet nga AAC-ja, sepse atij nuk do t’i lëshohej certifikatë. Më 8 shtator 2021 dhe 26 prill 2022 rasti është ankimuar në KPMSHC”, thuhet tutje në ankesën e sindikatës.
Sipas sindikatës, në vazhdimësi po favorizohen zyrtarë të afërt me drejtorin.
Çështja e trajnimeve është përmendur gjatë këtij muaji në Komisionin Parlamentar për Mjedis, por drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, kishte thënë ndër të tjera se nuk ka marrë shumë ankesa për këtë çështje.
Deklaratën e tij e ka quajtur gënjeshtër Sindikata e AAC-së.
Autoriteti i Aviacionit Civil nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me pohimet e Sindikatës, ndërkohë lidhur me këtë çështje, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se nuk janë të informuar për këto adresime.