Danimarka e ka nisur të enjten kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, me një agjendë të fokusuar në siguri, migracion dhe mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën. Me moton “Një Evropë e Fortë në një Botë në Ndryshim”, Kopenhaga synon t’i japë drejtim më të qartë BE-së në përballje me sfidat gjeopolitike dhe rritjen e kërcënimeve globale. Ndërkohë, aspirata e Kosovës për anëtarësim në BE mbetet pezull, pa përgjigje konkrete edhe nga presidenca e re daneze
Siguria e Evropës, politikat e ashpra ndaj migracionit dhe Ukraina, do të jenë ndër prioritetet kryesore të Danimarkës, e cila të enjten e ka nisur kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.
Kryeministrja e Danimarkës, Fredericksen, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishin të enjten në qytetin perëndimor të Aarhusit për një ditë ngjarjesh festive, ndërsa Danimarka e nisi presidencën e saj të tetë të BE-së që nga anëtarësimi në vitin 1973.
Nën moton “Një Evropë e Fortë në një Botë në Ndryshim”, kryeministrja daneze, Mette Fredericksen, ka thënë se qëllimi është që BE-ja ta marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet përballë kërcënimeve globale. Ajo ka thënë se do të bëjë gjithçka që Ukraina t’i bashkohet bllokut.
“Ukraina është pjesë e familjes sonë evropiane dhe ishte shumë me rëndësi për ne që Presidenti Zelensky u bashkua me ne sot këtu... Familja jonë evropiane nuk do të ishte e plotë pa praninë e tij. Prandaj, presidenca daneze do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndihmuar Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë Fredericksen.
E, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, e ka përmendur mbrojtjen si çështjen kryesore me të cilën duhet të merret BE-ja.
“Danimarka e di se çfarë do të thotë të qëndrosh vigjilent. Ju përballeni me tensione baltike dhe konkurrencë në Arktik. Ju i keni rritur vazhdimisht aftësitë tuaja dhe për këtë arsye nuk është rastësi që unë e prezantova strategjinë tonë të gatishmërisë 2030 në Akademinë Mbretërore Ushtarake Daneze në mars. Tani, mbështetem te ju për të ndihmuar në realizimin e saj. Ne kemi filluar tashmë të punojmë në hartën e planit për gatishmërinë e Këshillit Evropian. Bëhet fjalë për mënyrën se si investojmë dhe për këtë ne do t’i identifikojmë boshllëqet në kapacitete dhe do të punojmë me shtetet anëtare në projekte të përbashkëta evropiane për prokurim të përbashkët, sepse gatishmëria mbrojtëse nuk ka të bëjë vetëm me sa shpenzojmë, por ka shumë të bëjë me mënyrën se si i shpenzojmë paratë. Në mbrojtje, presidenca daneze do ta luajë një rol vendimtar”, ka deklaruar von Der Leyen.
Aspiratën e saj për t’u anëtarësuar në BE e ka shprehur edhe Kosova, me dorëzimin e aplikacionit më 15 dhjetor 2022, por që deri tash nuk është shqyrtuar nga Brukseli.
“Koha” ka dërguar pyetje në presidencën daneze lidhur me aplikimin e Kosovës, por të enjten nuk ka marrë përgjigje.
Para disa ditësh, përfaqësuesi i përhershëm i Danimarkës në BE, ambasadori Carsten Jensen, duke folur në një takim të organizuar në Bruksel nga Asociacioni Ndërkombëtar i Gazetarëve, është pyetur edhe për Kosovën.
Ka thënë se procesi i zgjerimit ka qenë disi sikur në gjumë, ndërsa agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës e ka krijuar një moment të ri, më pozitiv për zgjerimin. Sipas tij, aspekti ligjor në proces mund të avancohet vetëm nëse ka pajtim nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ambasadori i Danimarkës ka thënë se vendi i tij ka ambicie për avancim në procesin e zgjerimit, por suksesi nuk do të varet nga kryesuesi i radhës, sepse është një proces ku mund të avancohet vetëm nëse ka pajtim nga të gjitha vendet anëtare. Ai ka thënë se ka gjasa që të ketë më shumë avancim në procesin e zgjerimit për disa vende, për të cilat nuk ka kundërshtim nga asnjë anëtar i Bashkimit Evropian.
Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në takimin e kolegjit të 27 të komisionarëve evropianë, më 8 nëntor 2023, ishte miratuar paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.
Për herë të parë u miratuan edhe raportet e progresit për dhjetë shtete që janë në këtë proces: Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Si pengesë për Kosovën, përpos faktit se nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së, përmendet edhe pritja që të ketë progres konkret në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Ka edhe vende të tjera në procesin e zgjerimit të BE-së, avancimi i të cilave po mbahet peng nga bllokadat e ndonjë vendi anëtar. Kështu, Hungaria e ka bllokuar hapjen e kapitullit të parë në procesin e negociatave me Ukrainën, ndërkohë që Bullgaria e mban ende të bllokuar Maqedoninë e Veriut.
Gjatë kryesimit të Polonisë, më së shumti ka avancuar Shqipëria në procesin e zgjerimit, duke e çuar në 24 numrin e kapitujve të hapur.
Pikërisht më 1 korrik janë mbushur 12 vjet prej kur Kroacia u bë anëtare e BE-së, që ishte edhe zgjerimi i fundit i bllokut. Nuk ka ndodhur asnjëherë në histori që të kalojmë kaq shumë vjet pa pasur zgjerim të BE-së me anëtarë të rinj.