Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si u shemb sistemi juridik-kushtetues i vendit me ‘deportimin’ e 6 qytetarëve turq, sipas Surroit

Shkrimtari e publicisti, Veton Surroi, ka shkruar letrën e dytë të hapur deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq të lidhur me lëvizjen gyleniste.

Shkas për letrën e dytë, Surroi ka marr paraqitjet e ditës së sotme të Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për, siç shkruan ai, “rastin e rrëmbimit të gjashtë qytetarëve turq dhe dorëzimit të tyre autoriteteve turke për t’i larguar nga vendi”.

Sipas Surroit, paraqitja e Kryeministrit dhe Presidentit rrit arsyet për brengosje për fatin e vendit, të demokracisë, ligjshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve në të.

Ai kritikon mënyrën e realizimit të këtij aksioni dhe mos-informimin e Kryeministrit për këtë aksion duke qenë se, sipas informatës së dhënë nga vetë kryeministri, ministri i Brendshëm, tashmë i shkarkuar, ka marrë që nga data 23 mars kërkesën e AKI-së për arrestimin e gjashtë qytetarëve turq.

Kjo, sipas Surroit, do të thotë se ekziston një sistem i vendimmarrjes i cili përjashton Kryeministrin e vendit, përgjegjësitë e tij Kushtetuese, rrjedhimisht, Kushtetutën e vendit.

Edhe Surroi thotë se rasti i gylenistëve shkel në gjashtë nene Kushtetutën e Kosovës Arbëri Surroi thotë se rasti i gylenistëve shkel në gjashtë nene Kushtetutën e Kosovës

Megjithatë, siç shkruan shkrimtari e publicisti Surroi, problemi i vetëm është se fjala ‘deportim’ nuk ekziston në ligj.

“Në Ligjin për të huajt, i cili rregullon këtë materie, nuk ekziston koncepti i deportimit. Me ligjin tonë, të huajt ‘largohen’ apo ‘dëbohen’, por nuk deportohen. Por, Kryeministri dhe Presidenti kishin të drejtë të përdornin këtë fjalë, sepse ashtu siç nuk ishte ajo në ligj, ashtu nuk ishte në ligj as procedura me të cilën u rrëmbyen dhe iu dorëzuan autoriteteve turke”, shkruan Surroi.

Tutje, ai kritikon daljen e Presidentit në konferencën e sotme për media për shkak se, siç thotë ai, “Presidenti gjeti kohë për të treguar se kush fle në cilën shtëpi kur vjen në Kosovë, cila parti ku trajnohet çdo javë, kë do pyetur për financime nga Irani dhe, nëse nuk merret përgjigje, me cilin kushëri duhet biseduar, por nuk gjeti momentin për një deklarim të thjeshtë: ka qenë i përfshirë apo jo në operacionin e rrëmbimit dhe dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq?”.

Ai thotë se përgjigja në këtë pyetje është me rëndësi sepse Presidenti i vendit sot tregoi shpërfillje të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj të drejtave ligjore të gjashtë turqve ‘të deportuar’, por ndaj sistemit kushtetues të Kosovës.

Surroi thekson se Thaçi, si president i Republikës së Kosovës, vend që duhej t’i kishte pushtetet e ndara, deklaroi se një deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar Partie parlamentare financohet nga Irani.

“Një informatë e këtillë mund të gjendet në fjalorin e Presidentit të një vendi demokratik vetëm pasi të jetë ngritur padia kundër atij individi për financim të supozuar nga një shtet tjetër, e në kundërshtim të ligjeve të Kosovës. Por, Presidenti vazhdoi ta shpërfill sistemin kushtetues-juridik të Kosovës duke e quajtur Albin Kurtin ‘ideatorin e organizatës terroriste Syri i Popullit’ që përbën shkelje të trefishtë. Është sulm kundër të drejtës kushtetuese të Albin Kurtit për siguri, është ndërhyrje në sistemin gjyqësor ndërsa është duke filluar seanca gjyqësore ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’ (e cila nga presidenti mund të quhet terroriste vetëm me vendim të plotfuqishëm gjyqësor) dhe është potencialisht fshehje e dëshmive: nëse Hashim Thaçi ka prova se Albin Kurti ideoi ‘Syrin e Popullit’, atëherë ato duhet t’i deponojë në Prokurori, në të kundërtën bëhet bashkëkryes i krimit”, potencon Surroi.

Edhe Kolumne Letra e dytë deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Më tej, siç shkruan Surroi, presidenti Thaçi, në vendin dhe kohën kur duhej të fliste se si është shemb sistemi juridik-kushtetues i vendit me rrëmbimin dhe dorëzimin e gjashtë qytetarëve turq, ai “ndihmoi shembjen me shpjegime të mëtejme e me argumentin kulmor se Lëvizja Vetëvendosje dërgonte ekipe në Stamboll çdo javë për trajnim e financim”.

Me këtë, sipas publicistit Surroi, Presidenti i vendit sulmoi drejtpërsëdrejti parimin e të drejtës së asociimit, të garantuar me Nenin 43 të Kushtetutës, që thotë:

“Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente”.

Surroi thotë se presidenti Hashim Thaçi sot foli si drejtor i AKI-së që disponon me informata “për shtratin ku ka fjetur Marko Gjuriqi, foli si prokuror që ngre akuzë ndaj Albin Kurtit për financim nga Irani dhe foli si Gjykatës që shpall fajtore një organizatë terroriste me veprim në Kosovë. Foli se si i prin shembjes së rendit Kushtetues e Juridik të vendit”.

Kurse Kryeministri i vendit shpalli se ka kërkuar raport nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend, që janë nën kompetencë të tijën kushtetuese dhe ky përbën një reagim të duhur e konkret, sipas Surroit.

Edhe Reagimet pas arrestimit të gjashtë gylenistëve në Kosovë Video Reagimet pas arrestimit të gjashtë gylenistëve në Kosovë

“Deputetët duhet të kërkojnë që ky raport të paraqitet në Kuvend në fillim të javës së ardhshme dhe që në saje të tij të ndërmerren masat e nevojshme institucionale e juridike. Arsyetimi se kjo punë do kohë, nuk qëndron. Kohë nuk kishin qytetarët turq që u lidhën duke dalë nga shtëpitë e tyre, iu tha se nuk kanë më leje qëndrimi, të drejtë ankese e as mbrojtje juridike dhe se do t’u dorëzohen autoriteteve të vendit që kanë aq përfillje për procedurë sa treguan autoritetet kosovare më 29 mars të këtij viti. Kohë nuk kemi ne, qytetarët e vendit, që çdo ditë shohim rrezikun për të drejtat dhe liritë tona”, përfundoi shkrimtari e publicisti Veton Surroi.

Letrën e plotë të Surroit mund ta gjeni këtu.