Ishte në të tridhjetat kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve ’98-’99. Por, ngjarjet që kishte përjetuar gjatë shërbimit në luftë kishin qenë të papërballueshme për F. K.
Kalimi i kufirit Kosovë - Shqipëri ilegalisht për të siguruar armë për ushtarët e tjerë si dhe dyluftimi që kishte pasur me ushtarët serbë, atij i kishin shkaktuar trauma të shumta. Komandanti i brigadës ku ai kishte shërbyer tregon se menjëherë pas këtyre rasteve, për F. K. kishin filluar problemet me shëndetin mendor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, prej këtyre traumave kishin pësuar shumë edhe familjarët e F. K. Që nga paslufta ata janë keqtrajtuar si fizikisht, ashtu edhe në mënyrë psikike, nga kryefamiljari i tyre.
Bashkëshortja e tij rrëfen për KTV-në se disa herë është goditur edhe me armë të ftohta nga burri i saj.
Përderisa 3 herë radhazi, thotë ajo, i është refuzuar pensioni i invalidit të luftës nga Komisioni mjekësor në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ajo shton se askush nuk është marrë me sëmundjen e burrit të saj deri javën e fundit, kur është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë.
Bashkëshortit të saj i është pranuar statusi i invalidit të UÇK-së nga Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit, por atij i është refuzuar kërkesa nga Komisioni mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit.
Por, në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se Komisioni mjekësor i shkallës së parë e ka vlerësuar me 10 % invaliditet.
“Pas kësaj ai ka bërë ankesë dhe Komisioni i shkallës së dytë përsëri e ka konfirmuar shkallën e njëjtë. Për të hyrë në pagesë duhet të ketë shkallën e invaliditetit së paku 20%”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Kjo përcaktohet me Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.