Në orët e para të ditës, veriu i Kosovës është vërshuar nga Policia.
Nga dalja e Mitrovicës, ku qëndronin në gjendje gatishmërie Njësitë Speciale, edhe të gjitha rrugicat që çojnë drejt kufirit me Serbinë, janë kontrolluar në detaje, raporton KTV.
Synimi i tyre ishte ndalimi i zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, vizitat e të cilëve janë të shpeshta në komunat veriore të Kosovës.
E, derisa Policia ruante rrugët, drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, u shfaq në Mitrovicë e veriut.
Por, njësitë e stacionuara në veri kanë rrethuar kafenenë dhe kanë arrestuar Gjuriqin.
Policia e Kosovës gjatë ditës ka komunikuar nëpërmjet komunikatave për veprimet në veri.
“Bazuar në planifikimet e saj policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi. Me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, policia ka angazhuar njësi relevante policore, të cilat do të veprojnë konform situatës në raport me vendimin e MPJ-së”, thuhet në njoftim.
Edhe
Reagimi i Qeverisë së Serbisë pas aksionit policor në veri të Kosovës
Bëhet fjalë për ministrin serb të Kulturës dhe Informimit, Vladan Vukosavljeviq, i cili megjithatë hyri në Kosovës bashkë me Dragisha Stepanoviq, Dragan Blleshiq, Zoran Vukojicic, Ivana Dediq, Dunnja Mataruga, Branisllav Mariqiq dhe Danjella Banushiq.
Të njëjtit kishin deklaruar në mediat serbe se nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, por KTV-ja ka parë dokumentet që vërtetonin se ata kishin kaluar zyrtarisht kufirin.
Ndërkohë, një numër serbësh janë mbledhur para Gjykatës në veri për të kundërshtuar praninë e Policisë së Kosovës në këtë pjesë.